Ndjek dhe kap hajdutin nëpër rrugë, mbrojtësi i Man. United bëhet hero në atdheun e tij

24/08/2020 23:28

Në fushën e lojës njihet si një mbrojtës luftarak, që ndjek kundërshtarët për 90 minuta, me qëllim që të mos i lejojë ata të dërgojnë topin në rrjetë, ndërsa një gjë të ngjashme mbrojtësi i Manchester United Victor Lindelof e ka bërë edhe teksa ishte me pushime.

Suedezi 26-vjeçar ndodhet në atdheun e tij për pushime, por ka tërhequr vëmendjen e mediave, pasi ditën e djeshme ka ndalur një hajdut çantash, vetëm pak sekonda pasi ai i kishte vjedhur çantën një 90-vjeçareje.

Ngjarja ka ndodhur në rrugët e Vasterasit, kur Lindelof ka parë hajdutin t’i rrëmbente çantën të moshuarës dhe është vënë instiktivisht në ndjekje të tij, derisa e ka kapur, ndërsa lajmin e ka konfirmuar për mediat suedeze edhe bashkëshortja e mbrojtësit.

“Victor ka bërë atë që ndjente se duhej të bënte dhe se do ta bënte çdokush që do të ishte në vendin e tij. Tani hajduti do të duhet të përgjigjet për akuzat e vjedhjes me dhunë dhe posedimit të drogës për përdorim personal”, ka thënë bashkëshortja e mbrojtësit për mediat suedeze.

Top Channel