Suarez: Qëndroj edhe nëse nisem nga stoli, njerëzit nuk janë koherentë kur na gjykojnë

22/08/2020 23:48

Ditët e fundit është folur gjatë për një revolucion te Barcelona, që emëroi në pankinë holandezin Ronald Koeman, ndërsa vëmendjen më të madhe e ka marrë e ardhmja e argjentinasit Lionel Messi, i cili në moshën 33-vjeçare duket i joshur për të provuar një tjetër eksperiencë.

Megjithatë së fundi ka qarkulluar në media edhe emri i sulmuesit uruguaian Luis Suarez, si një nga njerëzit që pritet të lënë “Campo Nou”-n gjatë merkatos së vjeshtës, ndërsa vetë futbollisti ka një mesazh të qartë për drejtuesit e klubit katalan.

“Flitet për disa emra që ka përmendur presidenti, për disa ndryshime, por deri tani askush nuk ka ardhur të më thotë që duan të bëjnë edhe pa mua. Nëse kjo është dëshira e klubit, atëherë do të ishte mirë që njerëzit që kanë vendosur, të vijnë të ma komunikojnë direkt zgjedhjen e tyre. Kam 6 vite te Barcelona dhe mendoj se janë të mjaftueshme për të folur hapur mbi atë që mendoj”, deklaroi sulmuesi.

Në intervistën e dhënë për “El Pais”, Luis Suarez tregon se nuk ka komunikuar ende me trajnerin e ri të Barcelonës, holandezin Ronald Koeman, ndërsa thekson se është gati të qëndrojë te klubi “blaugrana” edhe pa e pasur të sigurt vendin në formacion.

“Dua më të mirën për klubin dhe ideja ime është që të qëndroj këtu, por nëse shoqëria mendoj se duhem sakrifikuar, nuk kam asnjë problem. Unë do të pranoja edhe të mos e kisha vendin e sigurt, pasi konkurrenca të bën mirë. Madje nuk e kam, problem as të nisem nga pankina, pasi e di që kam en de shumë për të dhënë dhe se vendi në formacion fitohet me paraqitjet në fushë”, shprehet Suarez.

Pak ditë më parë Barcelona u mposht me rezultatin e thellë 8-2 nga Bayerni i Mynihut në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, ndërsa Suarez e cilëson si një mbrëmje të errët për të gjithë dhe kritikon ata që kanë sulmuar futbollistët katalanë.

“Ishte një mbrëmje e komplikuar, ku të gjithë ne jemi përgjegjës për atë humbje. Bayerni ishte më në formë dhe u përshtat më mirë me formatin e ri dhe e meritoi fitoren, por nuk jam dakord me ata që predikojnë për revolucion. Kur Reali humbi me Ajaxin, të gjithë kërkuan shitjen e Modriç dhe Kroos, që sot janë kthyer të luajnë si fenomenë në klub. Njerëzve u mungon koherenca dhe memoria, ndaj kërkojnë gjithmonë një gjykim të thjeshtë, por harrojnë se futbolli është shumë më i komplikuar”, u shpreh Suarez.

Top Channel