Maldini ëndërron një “Theo-bis”, nis negociatat për fantazistin e Realit të Madridit

21/08/2020 23:31

Verën e kaluar Paolo Maldini udhëtoi drejt Ibizas për të mbyllur marrëveshjen e transferimit të mbrojtësit anësor Theo Hernandez te Milani, ndërsa francezi rezultoi një nga surprizat më të bukura për kuqezinjtë, pasi zhvilloi paraqitje mbresëlënëse.

Këtë vit Drejtori Teknik i kuqezinjve është gati të provojë të njëjtin sukses, pasi ka nisur bisedimet me Realin e Madridit për të marrë fantazistin spanjoll Oscar Rodriguez, i cili është kthyer te Los Blancos pas një huazimi te Leganes.

Pikërisht me fanellën e këtyre të fundit Oscar regjistroi 30 paraqitje në kampionatin spanjoll dhe shënoi edhe 9 gola, ndërsa performanca e tij ra në sy të trajnerit të kombëtares spanjolle Luis Enrique, i cili e ka ftuar për ndeshjet e Nations League në shtator. Fantazisti 22-vjeçar shikohet si zëvendësuesi ideal i turkut Hakan Calhanoglu dhe Milano janë të bindur që do të përshtatej më së miri me skemën 4-2-3-1 që Pioli dëshiron të aplikojë sezonin e ardhshëm.

Kartoni i Oscar Rodriguez vlerësohet rreth 20 milionë euro nga Reali i Madridit, por problem mbetet fakti që Florentino Perez dëshiron të ruajë të drejtën e riblerjes, ndërsa te Milani nuk janë dakord me këtë opsion. Alternativat e tjera për këtë pozicion janë edhe Aleksej Miranchuk i Lokomotivës së Moskës dhe Rodrigo De Paul i Udineses, por Rodriguez për momentin është ai që ka miratimin e të gjithëve në stafin kuqezi, përfshi drejtuesit dhe trajnerin.

Top Channel