Kufijtë me Greqinë të hapura deri sot në 22:00! Qytetarët të mos paraqiten nesër në Kakavijë e Kapshticë pa …

16/08/2020 12:19

Ministrja Xhaçka konfirmon se veç Kakavijës edhe Kapshtica do të qëndrojë e hapur deri në orën 22:00 të ditës së sotme.

“Kakavija dhe Kapshtica do të qëndrojnë hapur deri në orën 22:00. Risjellim në vëmendje që nesër nis kufizimi i ri nga pala greke duke vendosur kuota dhe kërkesa për formular dhe test negativ. Qytetarët të mos paraqiten nesër në Kakavijë e Kapshticë pa formularin dhe testin negativ”, ka thënë ministrja Xhaçka.

Kujtojmë se, është mëngjesin e sotëm u arrit kuota prej 750 personash që pala greke lejonte për të kaluar kufirin, por pas urdhrit të dhënë nga pala greke ka rinisur sërish puna në doganën e Kakavijës.

Në pikën kufitare te Kakavijës mijëra persona qëndruan te bllokuar edhe te shtunën. Ata janë shtetas shqiptare me leje qëndrimi në Greqi që po kthehen për t’i shpëtuar rregullit që i detyron të karantinohen një javë. Pothuajse një e katërta janë shtetas grekë, shqiptarë që kanë fituar nënshtetësinë greke apo edhe minoritarë.

Burime jozyrtare për Top Channel bëjnë me dije se personat që kalojnë sot në kufi nuk do të futen në karantinë, deri në mbarimin e radhëve. Nesër do të jepet një shtyrje 1 javore dhe do të shkruhet në fletoren zyrtare.

Të gjithë vuajnë pritjen e gjatë e cila ka shkaktuar edhe një krizë humanitare. Familje të tëra me të moshuar dhe fëmijë të vegjël e kanë shumë të vështirë qëndrimin.

Po ashtu, Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë njoftoi se nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë drejt Republikës së Greqisë lejohen të kalojnë vetëm 300 shtetas dhe kjo kuotë u plotësua mëngjesin e sotëm, por edhe këtu ka rinisur sërish puna. Qytetarët janë dyndur drejt sporteleve për të vazhdar me procedurat. Mjetet po lëvizin në 3 korsi. Burime për Top Channel bëjnë të ditur se do të kalojnë vetëm mjetet që janë në këtë pikë, ndërsa autobusat jo. Nuk do të lejohen të tjerë veç atyre që ishin në radhë.

Top Channel