Pamje me dron/ Plotësimi i kuotës në Kapshticë, emigrantët nuk “heqin dorë”, mijëra qytetarë ende në radhë!

16/08/2020 11:15

Policia Kufitare e Kapshticës ka lajmëruar mëngjesin e sotëm se kuota e caktuar e qytetarëve për të kaluar drejt Greqisë është plotësuar.

Dje pas bisedimeve me palën greke nga policia u njoftua se nga pika doganore e Kapshticës do të mund të kalonin vetëm 300 persona, një numër i ezauruar tani.

Pas plotësimit të kësaj kuote pjesa më e madhe e mjeteve do të detyrohen të kthehen mbrapsht të paktën deri në një njoftim të dytë nëse do të ketë ndryshime të tjera.

Siç mund edhe të shihni nga pamjet e filmuara me dron, emigrantët shqiptarë që presin të largohen për në Greqi pavarësisht pezullimit të punës nga pala greke nuk do të largohen dhe të lenë radhën.

Kujtojmë se kushtet që çdo qytetar duhet të plotësoje për të kaluar pikën doganore dhe për t’u futur në Greqi nga e hëna janë:

– Testin negativ të COVID-19 (RT-PCR), i cili duhet të jetë kryer deri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorët publike apo private të certifikuara në Shqipëri. Ky rregull nuk vlen për shoferët e kamionëve që transportojnë mallra dhe fëmijët nën 10 vjeç.

– Vërtetimin diagnozë të përkthyer në anglisht, në të cilin duhet të jenë të shënuara emri, mbiemri dhe numri i pasaportës/numri i kartës së identitetit të individit.

– Vërtetimin e plotësimit të formularit të posaçëm PLF, me kodin QR (nga adresa elektronike https://travel.gov.gr).

– Testi i COVID-19 (RT-PCR) është i vlefshëm vetëm nga laboratoret e linçesuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilat mund t’i gjeni në faqen zyrtare.

Top Channel