Kaos dhe revoltë paraqiten në këto momente në pikën kufitare të Kakavijës, ku prej ditësh qytetarët janë në pritje për të kaluar kufirin.

Është arritur kuota prej 750 personash që pala greke lejon për të kaluar kufirin, por burime për Top Channel bëjnë me dije se është dhënë një tjetër urdhër nga qeveria greke ku thuhet se do të punohet deri në orë 23:00 të ditës së sotme, e nëse nuk përfundohen procedurat mund të zgjasë gjatë gjithë natës. Pritet që ky urdhër të vihet në zbatim

Kanë nisur revoltat dhe protestat nga ana e emigrantëve shqiptarë. Qytetarët që presin në radhë në Kakavijë kanë debatuar me efektivët e Policisë dhe nuk pranojnë të lëvizin prej aty edhe pas plotësimit të kuotave.

Kujtojmë se, Policia Kufitare e Kapshticës ka lajmëruar mëngjesin e sotëm se kuota e caktuar e qytetarëve për të kaluar drejt Greqisë është plotësuar.

Dje pas bisedimeve me palën greke nga policia u njoftua se nga pika doganore e Kapshticës do të mund të kalonin vetëm 300 persona, një numër i ezauruar tani.

Pas plotësimit të kësaj kuote pjesa më e madhe e mjeteve do të detyrohen të kthehen mbrapsht të paktën deri në një njoftim të dytë nëse do të ketë ndryshime të tjera.

Siç mund edhe të shihni nga pamjet e filmuara me dron, emigrantët shqiptarë që presin të largohen për në Greqi pavarësisht pezullimit të punës nga pala greke nuk do të largohen dhe të lenë radhën.

Top Channel