Radhë kilometrike/ Flet Drejtori i Përgjithshëm i Kufijve, çfarë duhet të dimë para se të udhëtojmë jashtë Shqipërisë

14/08/2020 17:53

Radhë kilometrike janë krijuar përgjatë kufirit të kalimit mes Shqipërisë dhe Greqisë në Kakavijë e Kapshticë.

Që prej ditës së djeshme Top Channel ka raportuar të gjithë panoramën e krijuar në këto zona, duke mos munguar dhe prononcimet e qytetarëve. Ndërkaq, për një sqarim më të detajuar të qytetarëve, gazetarja e Top Channel-it, Anila Hoxha, ka zhvilluar një intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të Kufijve, Eduard Merkaj. Gjatë bisedës i janë dhënë përgjigje shumë pikëpyetjeve që lidhen me situatën e krijuar, përmirësimin e gjendjes dhe hapat që priten të ndërmerren.

Anila Hoxha: Zoti Merkaj, që prej ditës së djeshme, sa shtetas e kanë kaluar kufirin me destinacion Greqinë, në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës?

Eduard Merkaj: Përshëndetje, faleminderit për intervistën. Atëherë mund t’iu deklaroj që në pikën e kalimit të Kakavijës, përsa i përket ditës së djeshme, kanë qenë në hyrje diku tek rreth 1.000 shtetas shqiptar dhe të huaj dhe në dalje 2335 shtetas. ndërsa në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës kanë hyrë rreth 500 shtetas për Republikën e Shqipërisë dhe kanë dalë rreth 3300 shtetas. Përsa i përket deri në orën 15:30 që po flasim për ditën e sotme, në hyrje nga pika e kalimit kufitar nga Kakavija 525 shtetas dhe në dalje 1.544 shtetas ndërsa për Kapshticën 460 shtetas në hyrje shqiptar dhe të huaj dhe në dalje 3,500. Po t’i vërejmë shifrat shohim që shifra më të mëdha në dalje ka pika e kalimit kufitar në Kapshticë, për arsye se siç jeni në dijeni në disa njoftime të herë pas hershme që ne kemi bërë këto katër pesë ditët e fundit, kur kemi marrë njoftimin nga kolegët grekë. Në pikën e kalimit kufitar Kapshticë nuk kryhen testime përsa i përket COVID-19-ës nga ana e kolegëve grek, apo palës greke.

Anila Hoxha: Zoti Merkaj përse u krijuan këto radhë kaq të gjata?

Eduard Merkaj: Atëherë ne e kemi informacionin paraprak si qytetar, këto masa që janë marrë janë marrë në të gjithë pikat e kalimit kufitar, ku disa shtete kanë marrë vendime të ndryshme përsa u përket shtetasve shqiptar dhe jo vetëm dhe shtetasve të vendeve të tjera, ku kalojnë nga një vend në tjetrin, këto janë masa shtesë të marra nga secili vend. Përsa u përket palës greke, pala greke ka dhënë njoftim para disa ditësh të cilën e kemi përcjell edhe ne, që në pikën kufitar të Kakavijës do të lejonte të hynin shtetasit shqiptar me dokumentacion grek, ose shtetas grek, por vetëm duke iu nënshtruar testimit në pikën e kalimit kufitar Kakavijë. Kjo është dhe arsyeja që ne gjendemi sot përballë kësaj situate.

Anila Hoxha: Zoti Merkaj në këtë situatë pandemie, cila është këshilla e policisë, çfarë duhet të kenë parasysh qytetarët që udhëtojnë dhe që do të përdorin pikat e kalimit kufitar drejt vendeve të ndryshme dhe çfarë duhet të kenë parasysh ata shtetas që hyjnë në Shqipëri.

Eduard Merkaj: Dua të them që ne kemi një komunikim të herë pas hershëm, për të mos thënë çdo 15 minuta, me kolegët grek por jo vetëm, edhe me homologët e vendeve fqinje, pasi në bazë të pandemisë dhe kushteve që gjendet secili shtet dhe në bazë të të dhënave dhe komuniteteve të ngritura që nxjerrin numra dhe përditësimin e numrave, përsa i përket personave të prekur apo atyre që kanë humbur jetën nga COVID-19, vendimet që marren nga shtetet fqinje janë të ndryshme dhe kjo ripërditësohet në çdo moment për vendimet që ato marrin, të cilat ne na i përcjellin dhe ne mundohemi t’ia përcjellim të gjithë shtetasve shqiptar në momentin që duan të kalojnë në vendet fqinje, Greqi, Mal të Zi apo në vendet e tjera që ne kufizohemi. Ju keni qenë në kontakt me ne disa herë dhe ju e keni parë që ne e kemi ndryshuar informacionin disa herë pasi i tillë informacion na ka ardhur nga kolegët e vendeve fqinje. Unë kam komunikim të drejtpërdrejt përsa i përket situatës së ndodhur dje dhe sot me homologun tim grek por jo vetëm. Kemi komunikime dhe me departamente të tjera, të marrëdhënies ndërkombëtare kanë komunikimin e duhur dhe me Ministrinë e Jashtme kemi pasur komunikim ne dhe më vonë ata me kolegët e tyre që kanë andej dhe më pas komunikim me konsullatat që kemi në Athinë dhe Janinë. Kemi bërë të mundur për momentin të lirohet pjesa e kalimit për në pjesën e Greqisë. Duhet të kuptojmë që kjo nuk ka ardhur për arsye të policisë shqiptare apo greke, e theksoj edhe njëherë kjo ka ardhur thjesht për arsye të masave shtrënguese pozitive jo negative, përsa i përket pjesës së Greqisë. Është pjesa e autoriteteve shëndetësore greke në pjesën e testimit që është bërë shtetasve shqiptar. Nga një informacion që sapo më erdhi para dy tre minutash është që pas komunikimit që kemi bërë me ta. Ata e kanë shtuar pjesën e testimit në disa herë në krahasim me atë të mëngjesit dhe të munden të kalojnë për një orë.

Anila Hoxha: E para, le t’i marrim pikat kufitare me radhë. Një qytetar që udhëton drejt Maqedonisë, gjatë këtyre orëve dhe ditëve megjithëse të dhënat janë në përditësim, çfarë duhet të ketë parasysh. Një qytetar që udhëton drejt Kosovës, Malit të Zi, Greqisë dhe Italisë, çfarë duhet të ketë parasysh, duhet të bëj tamponin? Në cilat pika kufitare kërkohet tamponi.

Eduard Merkaj: Përsa i përket pyetjes tuaj, unë duhet t’iu them edhe njëherë, masat ndryshojnë. Në këto moment që po flasim duhet t’iu them që në drejtim të Kosovës kalohet pa asnjë pikë pengese. Në Mal të Zi vazhdon situata që duhet të jetë tamponi i bërë brenda 72 orësh dhe duhet të rezultojë tamponi negativ. Ndërsa për shtetas shqiptar që duhet të kalojnë nga Mali i Zi drejt vendeve të tjera transit, nuk kanë nevojë për të pasur një përgjigje të tamponit por mund të kalojnë duke firmosur një deklaratë në pikën e kalimit kufitar në palën malazeze, që nuk do të qëndrosh më shumë se 3 orë në Mal të Zi.

Anila Hoxha: Përdoruesit të Rinasit dhe porteve?

Eduard Merkaj: Përsa i përket shtetit italian, kalimit nëpërmjet porteve, atje kalojnë shtetasit që kanë dokumentacion italian, leje qëndrimi italian, por edhe shtetas që për arsye të përcaktuara në një vendim që ka marrë policia italiane mund të lejohen të kalojnë. Një shtetas italian ose një shtetas shqiptar me leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në Itali, mund të autorizojë dhe të shprehet i gatshëm për karantinimin e një shtetasi shqiptar, por që ta ketë lidhje e gjakut të parë, nënën, babanë, motrën, vëllanë, këtë kategori. Ndërsa kategoritë e tjera duhet të bëjnë një praktikë të përcaktuar me Ministrinë e Jashtme ose me ambasadën italiane.

Anila Hoxha: Çfarë duhet të mbajnë parasysh ata shtetas që udhëtojnë drejt Shqipërisë, përmes të gjitha pikave kufitare që ju lartpërmendët?

Eduard Merkaj: Ne e kemi disa kohë dhe e kemi deklaruar që jemi të hapur, si në hyrje dhe në dalje. Nuk kemi asnjë lloj shtrëngese për asnjëlloj shtetasi, qoftë ai shqiptar apo i huaj.

Anila Hoxha: Ndërkohë keni ju diskutime minutë pas minute me homologët grekë. Si do të zgjidhet çështje e “krizës” dhe radhëve të gjata në Kapshticë dhe Kakavijë. Kujtoj këtu që ka udhëtuar drejt pikave kufitare ministrja e Mbrojtjes, shefi i emergjencave, po shkoni dhe ju. Çfarë do të ndodhë në orët në vijim?

Eduard Merkaj: Ne po vijojmë komunikimin me kolegët dhe ata janë shumë bashkëpunues dhe ne po vijojmë dhe po vazhdojmë. Por duhet të keni diçka të qartë që këto janë disa vendime, nuk janë vetëm të policisë dhe shëndetësisë. Secili shtet, Greqia, Maqedonia e Veriut ka një komunitet të përbërë nga të gjithë specialistët, që japin vendimet si do të vijojë më tej situata. Ne kemi dhe një njoftim që kemi marrë zyrtarisht nga pala greke, që me datë 17 pala greke do të lejojë që të hyjnë shtetasit shqiptar me dokumente greke dhe ata që janë shtetas grekë me një test Covid-i të bërë në republikën e Shqipërisë, thjesht duhet të jetë e përkthyer në anglisht dhe të ketë disa të dhënë, si numrin e pasaportës dhe emrin e mbiemrin e personit. Kjo do të jetë një lehtësi më tutje që të mos krijohen më radhë në pikat e kalimit. Testi bëhet në Republikën e Shqipërisë, do të njihet nga pala greke dhe thjesht duhet ta paraqesin në sportelet e kolegëve grekë kur duhet të kalojnë për andej.

Anila Hoxha: Përse po veprohet me dy qëndrime të ndryshme, Kapshtica nuk po bën tampon, ndërsa Kakavija po kryen tamponimet.

Eduard Merkaj: Duhet t’iu them që ne kemi dhe dy pika të tjera me Greqinë, Tre Urat dhe Qafë Bota, por këto janë tashmë të mbyllura, pasi qeveria greke mori një vendim të tillë. Me komunikimin që kam me kolegët, më thonë që kjo është bërë për arsye sepse Greqia ka marrë një vendim- me aq sa më kanë thënë, kjo është jo zyrtarisht por me komunikimet që kam unë me ta- që i gjithë personale shëndetësor e ka atashuar në të gjitha pikat e kalimit kufitar që ka jo vetëm me Shqipërinë, e njëjtë situatë ka qenë edhe në pikën e kalimit me Bullgarinë. Duke qenë se ka pasur këtë lloj shtrirje të personalit shëndetësor prandaj janë krijuar dhe këto radhë. Nuk e di t’ju them se përse në Kapshticë e kanë lënë pa personel shëndetësor dhe në Kakavijë me personel shëndetësor. Këtë nuk di t’jua them. Dua t’i bëj thirrje të gjithë shtetasve shqiptar që duhet ta mirëkuptojmë këtë situatë, e dimë që është një situatë e vështirë. Ne po bëjmë të pamundurën, nga ana jonë janë marrë masat maksimale qoftë humane dhe institucionale dhe detyrimet që kemi në bazë të pozicionit që kryen secili nga ne në policinë e shtetit. Janë marrë masa për shënimin e sporteleve, janë marrë masa dhe nga pala greke. Ne kemi një komunikim të mirë me ta, përsa i përket policisë dhe unë kësaj i qëndroj. Pjesa tjetër sa i përket stafit shëndetësor, unë e thash pak më parë, ata e kanë të gjithë stafin shëndetësor të shtrirë në të gjithë pikat e kalimit kufitar sepse ka marrë një vendim qeveria greke, që të gjithë ata që do të hyjnë duhet të hyjnë të tamponuar në Greqi.

Anila Hoxha: Së fundmi zoti Merkaj, po shikohet mundësia që të ngrihet një shtab emergjence ose të vendosen çadra përgjatë aksit drejt pikës kufitare të Kakavijës, për sa kohë aty janë shënuar dhe regjistruar radhët dhe të gjata. Kujtoj këtu krizën e para disa viteve, kur një precedent por jo nga ngjashmëria, radhë të gjata janë regjistruar edhe para viteve 2005, kur ushtria atëherë vendosi çadra, përgjatë aksit rrugor të Kakavijës.

Eduard Merkaj: Puna atje po ecën me një ritëm shumë më të shpejt sa ka ecur dje dhe sot në mëngjes, nga ana flasim e personelit grek të shëndetësisë. Përsa i përket vendimmarrjes tjetër unë nuk mund t’iu konfirmoj sepse drejtori i përgjithshëm është gjithë kohën në kontakt me të gjithë institucionet e tjera. Por nga ajo që më raportojnë minutë pas minute mua, më thonë që në Kakavijë ka filluar puna dhe po përshpejtohet shumë puna e kolegëve grek. Shpresojmë që të mos arrijmë në pikën e krijimit të një pike emergjence. Nga ana tjetër policia ka marrë masa edhe përsa i përket kujdesit të atyre shtetasve që janë aty, janë marrë masa nga drejtoria vendore e Gjirokastrës, e cila ka vijuar shpërndarjen elementare drejt këtyre shtetasve, si ushqime ujë, që njerëzit të ndihem pak më mirë. Është vapë dhe është e vështirë për ta.

Top Channel