Atalanta për pak bëri mrekullinë në Ligën e Kampioneve duke iu afruar shumë fazës gjysmëfinale të kompeticionit.

Në sfidën e zhvilluar ndaj Paris Saint Germainit skuadra bergamaske u mund 2-1 duke u ndëshkuar vetëm në çastet e fundit të sfidës, të cilën e kryesoi 1-0 për plot 85 minuta. U mbyll në Stadio Da Luz përralla e skuadrës së Gasperinit që këtë sezon mahniti të gjithë futbollin evropian me lojën e zhvilluar.

Atalanta nuk kishte asgjë për të humbur dhe e përballoi mjaft mirë skuadrën franceze të milionave të shumtë, madje për pak sa nuk shkaktoi edhe surprizën e madhe. Bergamaskët befasuan kampionët e Francës në minutën e 27 teksa morën avantazhin në minutën e 27 të sfidës me Pasalic. Një avantazh që skuadra provinciale arriti ta ruajë deri në minutën e 85, kjo për faktin se Tuchel gjatë zhvillimit të sfidës hodhi në fushë armën e tij më të fuqishme, Kylian Mbappe  që së bashku me Neymar ndryshuan tërësisht fatin e takimit pikërisht në 5 minutat e fundit.

Marquinhos barazoi rezultatin në 1-1 ndërkohë që Choupo Moting që zëvendësoi Icardin shënoi golin e kualifikimit historik të Paris Saint Germainit në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, dy gola që nisën pikërisht nga këmbët e yjeve të skuadrës pariziene Neymar e Mbappe. Atalanta largohet me kokën lart nga Liga e Kampioneve duke dhënë edhe një lloj leksioni për të mëdhatë e Evropës që shpenzojnë pa fund, ndërsa Paris Saint Germaini do të presë fituesin e çiftit Leipzig-Atletico madrid për të diskutuar kalimin në finale

 

Top Channel