Kupa e Anglisë do të ndryshojë në sezonin 2020/21. duke nisur pikërisht nga sezoni i ardhshëm, në FA Cup nuk do të ketë ndeshje shtesë në raundet kualifikuese nëse do të ketë ndonjë rezultat të barabartë.

Lajmi u konfirmua nga Federata Angleze e Futbollit që doli me një komunikatë për shtyp ku theksohej se ky vendim u mor për të lehtësuar kalendarin e futbollit anglez. Kjo do të thotë se ndeshjet e FA Cup do të jenë unike dhe skuadrat që do të kalojnë raundin në rast se ato përfundojnë në barazim do të përcaktohen nga koha shtesë apo dhe seria e gjuajtjes së 11 metërshave nëse do të jetë e nevojshme.

Sezoni i ri i FA Cup do të nisë më një raund paraeliminator në 1 shtator, ndërkohë që finalja e madhe është parashikuar të zhvillohet në 15 maj të 2021. Ndryshime pëson edhe Kupa e Ligës ku gjysmëfinalet do të jenë me ndeshje unike. Në këtë kompeticion, raundi i parë është parashikuar të zhvillohet në 5 shtator, ndërsa 3 pasueset do të zhvillohen në mesjava duke nisur nga 15-16 shtatori.

Po kështu, shpërblimet për skuadrën e FA Cup do të reduktohen me 50% në krahasim me ato të sezonit që sapo u mbyll për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia coronavirus. Skuadra që do të fitojë Kupën e Anglisë në sezonin 2020/2021 do të përfitojë 2 milionë Euro, ndërsa Arsenali që e fitoi këtë vit siguroi 4 milionë Euro fitime nga triumfi në këtë kompeticion pasi mundën në finale Chelsean me rezultatin 2-1.

Top Channel