Studimet mbi një analizë eksperimentale të gjakut për sëmundjen Alzajmer tregojnë se ajo është shumë e saktë dhe mund të dallojë njerëzit e prekur nga sëmundja, thonë shkencëtarët.
Ky zbulim po shton shpresat për një mënyrë të thjeshtë dhe të besueshme në diagnostikimin e kësaj forme të sëmundjes mendore në të ardhmen. Hulumtuesit thonë se zbulimi është një qasje e re e cila ende kërkon më shumë prova. Alzajmer është një nga format më të zakonshme të sëmundjeve mendore.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rreth 50 milionë njerëz në botë vuajnë nga sëmundje mendore dhe nga këta, rreth 70 përqind kanë Alzajmer. Barnat aktuale lehtësojnë përkohësisht simptomat dhe nuk ngadalësojnë degradimin e trurit. Autori kryesor i studimit është Profesori Oskar Hansson me Universitetin e Lundit në Suedi.
Një vit më parë, shkencëtarët njoftuan rezultate inkurajuese nga analizat eksperimentale të gjakut që masin nivelet jo normale të amiloidit, një nga dy proteinat që shumohen dhe dëmtojnë trurin. Studimi u krye në mbi 1400 pjesëmarrës.
Në studim u përfshinë individë me shkallë të ndryshme të sëmundjes Alzajmer dhe probleme të tjera neurologjike. Tani ekspertët besojnë se kjo analizë gjaku mund ta zbulojë sëmundjen më herët. Edhe kur pacienti ka probleme shumë të vogla kujtese, analiza është shumë e saktë. Fatkeqësisht shumë njerëz me Alzajmer nuk diagnostikohen dhe rrjedhimisht nuk marrin trajtimin e duhur.
Në disa raste të tjera, ka njerëz që diagnostikohen gabimisht me Alzajmer. Saktësia e rezultateve të analizës së gjakut sipas hulumtuesve shkon nga 89 deri 98 përqind.
Top Channel