Zelensky u bën thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë: Rusia po planifikon sulm masiv

05/07/2026 22:59

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se shërbimet ukrainase të inteligjencës kanë siguruar informacione që tregojnë se Rusia po përgatit një sulm të ri masiv ndaj Ukrainës.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Zelensky u bëri thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë dhe të respektojnë alarmet ajrore, duke theksuar se sulmi mund të ndodhë në ditët në vijim.

“Ne kemi sërish të dhëna nga inteligjenca se rusët po përgatisin një goditje të re masive. Kjo është në frymën e Putinit – menjëherë pas Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe përpara samitit të NATO-s në Ankara. Rusia kërkon të shtojë edhe më shumë të keqe dhe të vrasë njerëz. Ju lutem, kujdesuni për veten dhe kushtojini vëmendje sinjaleve të alarmit ajror”, deklaroi ai.

Presidenti ukrainas u bëri gjithashtu thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të mos vonojnë dërgimin e raketave për mbrojtjen ajrore, veçanërisht për sistemet Patriot.

“Shtyrja e furnizimit me raketa për mbrojtjen tonë ajrore, përfshirë raketat për sistemet Patriot, kushton jetë njerëzish dhe i jep Rusisë mundësi të vazhdojë agresionin”, tha Zelensky.

Ai theksoi se komuniteti ndërkombëtar i ka kapacitetet e nevojshme për të mbështetur Ukrainën, por sipas tij nevojiten vendime të shpejta politike.

“Raketat Patriot nuk duhet të qëndrojnë në depo. Ato duhet të jenë në bateritë Patriot në Ukrainë, aty ku nevojiten për të mbrojtur jetën e qytetarëve”, përfundoi presidenti ukrainas.

Top Channel