Durrës, prenotimet në rritje/ Operatorët shpresojnë që gushti të jetë muaj i mirë për turizmin

02/08/2020 19:49

Gushti pritet të shënojë një numër më të lartë pushuesish në plazhet e Adriatikut.

Sipërmarrësit turistikë në plazhet e Durrësit dhe Golemit besojnë se ritmet e ditëve të para dhe prenotimet në rritje do të regjistrojnë një muaj më të mbarë, duke shënuar kështu dhe fitoren e parë të sezonit në luftën kundër Covid-19.

“Jemi besimplotë që muaji gusht do jetë muaj i mirë për turizmin. Sigurisht flasim mirë nga e keqja, pasi kemi të bëjmë me një turizëm që anuloi 100% të gjitha kontratat e një viti më parë me agjencitë e huaja turistike. Turizmi patriotik ka qenë në nivele të kënaqshme. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë të parët që kanë mbërritur në hotelet tona dhe vazhdojnë në numër më të madh. Kemi pasur një bashkëpunim të mirë me agjencitë turistike atje, por edhe paketat turistike kanë qenë më të lira se një vit më parë.”

Operatorët turistikë shpresojnë që të kenë një rritje deri në 50-60% të kapacitetit akomodues të tyre gjatë këtij muaji.

“Kapacitetet mendoj do të shkojnë në 50-60%. Unë kam dhe 2 hotele të tjera që s’i kam hapur fare, po me këto që janë në punë besoj do shkojmë në këto nivele.
Turistët polakë vijojnë të vijnë po pritshmëritë kanë qenë më të mëdha pasi kemi pasur kontrata garancie me agjencitë polake.”

“Kemi pasur një rritje të fluksit. Dita e parë shënoi një rritje prej 30% në krahasim me muajin e kaluar. Sot edhe 10% më tepër. Presim një rritje të paktën te 60 %. Pushuesit janë nga Rusia, Ukrahina, Bjellorusia, Bosnje-Hercegovina dhe një fluks i shqiptarëve të Kosovës që kanë ndihmuar shqiptarët e Shqipërisë.”

Përveç masave të larta të sigurisë dhe higjienës strukturat hoteliere dhe gastronomike kanë ofruar paketa të favorshme turistike, rreth 20-30% më lirë se vitin e kaluar, për pushuesit.

Pandemia i shkaktoi një dëm mjaft të madh industrisë së turizmit. Rreth 40 përqind e fuqisë punëtore në sipërmarrjet turistike u reduktua, po me marrjen e masave për një sezon të sigurtë turistik edhe pushuesit, vendas e të huaj, kryesisht ata nga Evropa Lindore po i kthehen plazheve të Durrësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA