Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i falënderoi qytetarët e Kosovës që në ditën e festës së Kurban Bajramit kanë respektuar masat dhe apelin e Qeverisë së Kosovës që të mos i vizitojnë objektet fetare, në këtë rast xhamitë.
“Unë sot i falëndëroj të gjithë qytetarët që po i respektojnë masat për këtë ditë feste. Duket që apeli që kemi bërë si qeveri, bashkë me të gjitha institucionet dhe aktorët tjerë të përfshirë në menaxhimin e kësaj situate, ka dhënë efekt. Shpresoj që kjo të vazhdojë dhe njerëzit t’i respektojnë masat dhe të jenë të vetëdijshëm, sepse vetëm kështu mund ta menaxhojmë këtë situatë”
Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku falënderoi edhe stafin për punën që bën dhe tha se përballja me pandeminë “është mision kombëtar”.
“Në këtë ditë feste sigurisht por këta janë në krye të detyrës, në front, këta nuk mund ta lënë frontin e di që janë lodhur tash e gjashtë muaj përballen me këtë situatë unë jam sot këtu për të treguar vlerësimin tonë për punën që po bëhet”.
Në Kosovë, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus të enjten ka qenë 8,104. Prej tyre, 212 pacientë kanë humbur jetën dhe 4,463 janë shëruar. Bashkësia Islame e Kosovës ka marrë vendim të enjten që Kurban Bajrami të mos falet në xhami, për të frenuar, siç është thënë, përhpajen e koronavirusit. Edhe me masat e reja të miratuara nga Qeveria e Kosovës, “pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në Kosovë” është e ndaluar.
Top Channel