Një çift që u sulmuan nga një luan gjatë pushimeve “të luksit” në Tanzani, po padisin kompaninë britanike organizatore për dëmshpërblim.
64 vjeçari Patrick Fourgeaud humbi një pjesë të krahut si pasojë e sulmit të felinit të egër, ndërsa bashkë me bashkëshorten Brigitte, 63 vjeçe, besuan se do të vdisnin kur u zgjuan me bishën e egër brenda tendës së tyre në parkun kombëtar Ruaha.
Ata pretendojnë tashmë se organizatorët e pushimeve Africa Travel Resource nuk ishin kujdesur për sigurinë e turistëve gjatë incidentit të tmerrshëm në gusht të vitit 2015.
Çifti francez nga Mont-Saxonnex, besonin se ishin të sigurtë në tendën e tyre për të kaluar natën. Por kur u zgjua, zonja Fourgeaud gjeti sipas fjalëve të saj “një luan mashkull që po e nuhaste nga prapa” para se kafsha të hidhej mbi zotin Fourgeaud.
Ky i fundit ka kryer tashmë 10 operacione për rindërtimin e krahut të tij të shkatërruar nga nofullat e bishës së savanës, e cila e kafshoi dhe më pas e lëshoi për t’u larguar.
Çifti thotë se tashmë kanë mbetur me pasoja psikologjike, si stres dhe depresion post-traumatik.
Gruaja thotë: “Nuk do ta harroj kurrë momentin kur pashë luanin aty. Mendova se do të vdisnim të dy. Sulmi do të mbetet me mua për gjithë jetën. Ne besojmë se kompania duhet të kishte bërë më shumë për të siguruar pushuesit në udhëtimet e saj.”
Përfaqësuesi i tyre ligjor Leane Shanks, tha: “Katër vjet pas sulmit të tmerrshëm ata ende nuk kanë arritur të përballojnë pasojat e tmerrit. Çifti kanë qenë më parë të apasionuar ndaj kafshëve dhe Afrikës. Operatorët turistikë kanë për detyrë të sigurojnë jetën e turistëve dhe në këtë rast kjo nuk ka ndodhur”.
“Tenda e tyre ishte vendosur në një zonë që njihej si e frekuentuar nga luanët dhe kafshë të tjera të egra gjatë natës”.
Top Channel