Financimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, BB: Duhet të zgjerohet gama e instrumenteve

29/07/2020 10:10

Banka Botërore ka rekomanduar që Shqipëria të shohë me vëmendje mundësinë e zgjerimit të gamës së instrumenteve që mbështesin ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Në një raport që merr në analizë skemat e garancisë së qeverisë ndër të tjera thuhet se sektori bankar tejet likuid financon shumë pak tek këto ndërmarrje duke perceptuar një risk të lartë tek këto të fundit sidomos kur bie fjala tek bujqësia.

Për të nxitur mbështetjen BB rekomandon që të zgjidhen disa ngërçe që kanë të bëjnë me mikrofinancën, qiranë financiare për të ofruar më shumë mundësi financimi në treg.

“Disponueshmëria e një game më të gjerë të instrumenteve të financimit që të plotësojë nevojat e ndryshme të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme duhet që të përmirësohet më tej. Huadhënia nga institucionet e mikrofinancës, i dyti më i madh që mundëson financim- veçanërisht në veçanërisht në zonat rurale është rritur viteve të fundit.

Gjithsesi, rritja e tyre është e kufizuar pasi përballen me vështirësi në aksesin e financimit të përballueshëm me shumicë apo mekanizma të ndarjes së përshtatshme të riskut.

Qiraja financiare është e kufizuar kryesisht për automjetet motorike, me një treg sekondar të dobët për pajisjet e rimarra në zotërim duke përbërë pengesën më të madhe për zhvillimin e tij. Ndërmarrjet e fondeve të kapitalit dhe/ose rrjetet e investitorëve engjëll që do të targetonin start-up apo ndërmarrje ekzistuese me tendencë ngritjen në një shkallë më lart të tyre mungojnë. ndërmarrjet e mesme dhe ato të vogla për fillimin ose ngritjen në shkallë. Faktoringu dhe faturat me zbritje praktikohen shumë pak” nënvizon Banka.

Në raport thuhet se qiraja financiare përdoret kryesisht nga ndërmarrjet e mesme në 21.6 për qind të të gjithë huave kurse firmat e tjera ndajnë diku mes 9 dhe 10 për qind.

Konstatimet e Bankës Botërore bëhen në një analizë të gjatë për mundësitë e krijimit të një skeme të përhershme të garancisë nga ana e qeverisë që do të mbështesë biznesin për të marrë një tjetër hov në zhvillim. Banka nënvizon se dy skemat ekzistuese të nisura gjatë periudhë së COVID-19 mund të vazhdojnë të jenë aktive dhe ti kalojnë përmes një faze tranzicioni një strukture të re të ngritur për këtë qëllim ose një strukture ekzistuese që do të përshtate aktivitetin e saj sipas kërkesave të reja. /Monitor/

Top Channel