Spanja ka vijuar sot me akuzat ndaj “turistëve të shthurur britanikë” duke fajësuar klubet e natës dhe mbrëmjet ilegale të muzikës ‘rave’ për rritjen e rasteve me Covid-19 në vend.
Krerët e shëndetësisë në vend thonë se moszbatimi i distancimit social dhe turistët e zhurmës dhe alkoolit janë shkaku i vijimit të epidemisë, megjithë mbylljen e shumicës së klubeve të natës dhe gjobitjen e turistëve që nuk mbajnë maska.
Frikat për një valë të dytë infeksionesh po rriten teksa përhapje të reja janë zbuluar në Barcelonë, në një qendër të Kryqit të Kuq në Malaga dhe në një fluturim të linjave ajrore Iberia Express, nga Madrid drejt Vigo.
Vatrat e reja të infeksioneve janë identifikuar në klubet e natës dhe baret e frekuentuara prej britanikëve.
Fernando Simón, kreu i grupit për Covid-19 në ministrinë e shëndetësisë tha për El Pais: “Përhapja bëhet nga njerëz në vendndodhje të ndryshme që bëjnë transmetimin kudo që kanë qenë. Ka 20 qendra aktive infetimi në Valencia të gjitha të lidhura me të rinjtë. Ne jemi të shqetësuar se rastet po shkaktohen nga aktivitetet e jetës së natës. Ambjentet e jetës së natës nuk janë të ventiluara dhe prej muzikës së lartë njerëzit duhet të flasin me zë të lartë, prandaj rrjedhimisht shpërndajnë pikla lëngjesh trupore në masë të lartë”.
Autoritetet nisën dje gjithashtu aplikimin e gjobave nga 30 deri në 100 euro për mosmbajtje maske në rezorte të njohura si Majorca, Ibiza, Menorca e Formentera.
Ndërsa autoritetet në qytetin e Lleida urdhëruan rikthimin në izolim të 160,000 njerëzve prej rritjes së infeksioneve.
Top Channel