Finalizohet operacioni “Hijet e natës”/ Arrestohet i riu, ja për çfarë akuzohet

19/07/2020 08:45

Është finalizuar me sukses një tjetër operacion policor i koduar “Hijet e natës”.

Është vënë nën pranga një 21-vjeçar, i dënuar më herët për veprën penale të vjedhjes si dhe procedohet në gjendje të lirë një tjetër.

Zbardhen dhe dokumentohen 11 vjedhje të ndodhura në qytetin e Durrësit.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një thikë, një levë hekuri dhe një maskë të cilat i përdornin për kryerjen e vjedhjeve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, në kuadër të operacionit të koduar “Hijet e natës”, arrestuan në flagrancë shtetasin:

A.D., 21 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja” si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi E.Xh, 17 vjeç.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 18.07.2020, në lagjen nr.3, Durrës, dyshohet se kanë vjedhur në lokalin e shtetasit A.N., ku kanë marrë 10.000 lekë.

Nga hetimet e kryera rezulton se këta shtetas, gjatë këtij muaji në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, kanë kryer edhe 10 vjedhje të tjera, kryesisht në lokale dhe një dyqan të një kompanie celulare, ku kanë marrë sasi të konsiderueshme parash, aparate celular e sende të tjera, vjedhje këto të dokumentuara me prova filmike.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një thikë, një levë hekuri dhe një maskë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel