Shtëpia e re e nënë Hankos/ Emigranti vjen nga Suedia,  ndihmon të moshuarën në Durrës që tërmeti e la pas strehë

18/07/2020 15:35

Që herët në mëngjes, Julian Skënderaj së bashku me dy vajzat e tij ka mbërritur në Durrës për të takuar nënë Hankon dhe për t’i dhënë lajmin e shumëpritur prej saj. 

E njohu përmes një kronike të transmetuar në edicionet informative të Top Channel në fillim të korrikut dhe nuk hezitoi aspak. Prej shumë vitesh jeton në Suedi. Këtë verë u kthye në atdhe edhe për të ndihmuar nënë Hankon.  

”Unë dhe vëllai kemi mbështetur dhe më parë njerëz në nevojë. Kur e pamë në televizion nënë Hankon na u dhimbs. Në kushtet që jeton, është e vetme, pa burrë dhe me dy fëmijë të sëmurë. Menduam të organizojmë një grup që kemi bashkëpunuar më parë t’i vijmë në ndihmë.”

Plot emocione është pritur ky takim nga nënë Hanko e cila nuk i kursen urimet e vlerësimet as për TCH, që përmes njerëzve bujarë dhe solidarë në rast nevoje, i ktheu gëzimin, buzëqeshjen në këtë moshë të tretë kur ende vijon të kujdeset për djemtë e saj.

”Kam shumë emocione. Jam ngritur që në 1 të natës. Nuk më zinte gjumi. Mendoja ç’do t’u them. Ju uroj shëndet juve dhe televizionit tuaj. Edhe Julit e gocave me gjithë gruan e djalin i uroj një jetë të pambaruar kurrë.”

Situata pas tërmetit dhe zhvillimet politiko-sociale në vend ndiqen me interes nga diaspora shqiptare dhe kontributet për të lehtësuar familjet më në vështirësi nuk kanë munguar.

”E ndjekim shumë. Çdo program tuajin. Është goxha përgjegjësi. Kryeni shumë punë me këto tema që ngrini. U mbaroni halle njerëzve. Në Shqipëri nuk mbarojnë hallexhinjtë. Ne dhe pse nuk i ndihmojmë dot të gjithë prapë 2-3 familje mundemi dhe ato e bëjnë diferencën.”

Sofia 14 vjeçe dhe Emma 11 që kanë lindur në Danimarkë ndjehen krenare për babain e tyre dhe gjurmët që lë ai në jetët e njerëzve që ndihmon.

”Është shumë bukur që babai im bën këto gjëra vazhdimisht. Kjo është shumë frymëzuese dhe për persona të tjerë dhe për ne që të vazhdojmë dhe ne në këto hapa.”

Pas pak ditësh kjo banesë do të shndërrohet në kantier ndërtimi.

”Do të fillojmë me prishjet dhe pastaj me llogaritjet. Do të jetë një riparim i plotë i shtëpisë, përfshirë punimet hidraulike dhe elektrike që t’i krijojmë familjes një standard jetese.” 

Besimi dhe shpresa janë rikthyer te nënë Hanko. Nuk ndjehet më e vetme.

”Jam gëzuar më shumë se kur jam martuar. Gëzim më të madh se shtëpia nuk ka në botë. Doli Juliani për mua. Doli djalë, vëlla.”

Përkujdesja dhe dashuria e mposhtin edhe frikën nga koronavirusi. Një përqafim i ngrohtë, pa rezerva, shkëmbehet midis Julianit dhe nënë Hankos. Pas e shoqëron urimi i saj:

”Sa flokë të bardha kam aq të mira paçi!”

Top Channel