Reali i Madridit vendos njërën dorë te titulli kampion në La Liga. Los Blancos e çuan në 9 numrin e fitoreve radhazi duke fituar 1-2 edhe në transfertën ndaj Granadas ndeshja më e vështirë që kishin në 3 javët e fundit të kampionatit.

Falë 4 pikëve avantazh që ka ndaj Barcelonës, tashmë me një fitore ndaj Villarealit në shtëpi ndeshjen e ardhshme ose dhe me vetëm 2 barazime në dy takimet e fundit, skuadra e Zidane mund të shpallet edhe matematikisht kampione e Spanjës.

Në transfertën e Los Carmenes, Reali e pa veten shumë shpejtë në avantazh të dyfishtë me golat e Mendy dhe Benzema në harkun e 16 minutave të para.

Më pas ndeshja u dominua e gjitha nga Granada që rihapi sfidën në fillimin e pjesës së dytë me golin e Machis, por vetëm kaq sepse mbrojtja e Los Blancos dhe Courtois me pritjet e tij ruajtën avantazhin 1-2 deri në fund, duke i dhënë tre pikë të arta, Realit të Madridit që u ngjit në kuotën e 83 pikëve.

Top Channel