Në Maqedoninë e Veriut votojnë sot 716 persona të prekur nga Covid 19 dhe ata që janë në vetizolim.

Ky shënon dhe fillimin e votimit tre ditor për zgjedhjet e pesta të parakohshme në vend që prej pavarësisë.

Këto janë votimet më specifike deri tani duke pasur parasysh gjendjen e krijuar prej pandemisë së koronavirusit dhe masat që duhen respektuar si nga ana e qytetarëve me mbajtje të maskës e distancës sociale,  ashtu edhe nga ana e anëtarëve të këshillave zgjedhorë, vëzhguesve dhe gjithë atyre që janë të përfshirë në proces.

Nesër votojnë të sëmurët, te burgosurit e personat në arrest shtëpie ndërsa të mërkurën, mbahen votimet e përgjithshme.

Qendrat e votimit në atë ditë do të mbyllen në orën 21.00, pra dy orë më vonë se zakonisht. Zgjedhjet ishin caktuar të mbaheshin në 12 prill, por u shtynë prej pandemisë. Këtë radhë, ato kanë edhe një risi tjetër, e cila është me rëndësi kyçe për faktorin shqiptar.

Bashkimi Demokratik për Integrim-BDI ka dalë me idenë që qeveria e ardhshme e Maqedonisë së Veriut të udhëhiqet nga një kryeministër shqiptar. BDI-ja garon për kryeministër me Naser Ziberin, i cili thotë se nuk do ta kishte pranuar këtë propozim sikur të mos bindej se ky është një projekt kombëtar dhe se  “përmes kësaj ideje do ta faktorizojmë popullin shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut edhe më gjerë”.

Top Channel