Kurti i uron shërim Mustafës dhe akuzon qeverinë: Po e mbushin morgun e spitalit

13/07/2020 13:40

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një video ka kiritkuar rëndë qeevrinë e Avdullah Hotit për keqmenaxhim të situatës me COVID-19 duke thënë se dështimi i gjithanshëm nuk mbulohet dot me gjendje të jashtëzakonshme e as me kërcënimin për shpallje të saj.

Edhe pse në fund i uron shërim të shpejtë kryetarit të LDK-së, Isa Musta dhe të gjithë të infektuarve, Kurti paraprakisht tha se qeveria e udhëhequr nga LDK do të mbahet mend si më e dobëta dhe më e mbrapshta e pasluftës.

Duke e quajtur ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj si “Ministri Zezaj”, Kurti tha se ai po ju kanoset qytetarëve të cilët tashmë i ka shpallur të pabindur e të padisiplinuar.

Fjalimi i plotë i Kurtit:

Të dashur qytetarë,

Po ju flas këtu nga ballkoni i Lëvizjes, në pamundësi që të mbajmë tubime fizike, për shkak të rikthimit të furishëm të pandemisë së virusit Corona.

Kosova sot është në gjendje të rëndë sepse kriza është e trefishtë: shëndetësia, demokracia dhe ekonomia e vendit tonë janë në krizë të thellë.

Besueshmëria për këtë qeveri është tejet e ulët. Pritjet nga kjo qeveri, edhe më të ulta. Zaten, në politikën shtetërore, diçka që nuk është legjitime, nuk mund të jetë e vërtetë, andaj as e besueshme.

Na e hoqën sigurinë shëndetësore gjoja për hir të lirisë ekonomike. Tash po i humbim të dyja, sepse kundërthënia është e rrejshme. Shëndetësia dhe ekonomia janë të ndërvarura dhe është iluzion të mendojmë se mund të zgjedhim njërën mbi tjetrën. Këta erdhën si çlirimtarë të biznesit dhe turizmit, por po e mbushin morgun e spitalit. Numri i vendeve evropiane që e kanë futur Kosovën në listën e zezë po shtohet nga dita në ditë. Ky është krimi më i madh politik e qeveritar mbi njeriun e Kosovës, mbi qytetarin e Republikës.

Kjo qeveri do të mbahet mend si më e dobëta dhe më e mbrapshta e pasluftës, krahasimi me të cilën s’do t’i bëjë nder asnjë qeverie në të ardhmen. Pra, ekzekutivi me të cilin nuk bën të krahasohesh – kështu do të mbahet mend qeveria koti për ata të cilët nuk do ta harrojnë.

Dështimi i gjithanshëm, e sidomos në luftimin e pandemisë COVID-19, nuk mbulohet dot me gjendje të jashtëzakonshme e as me kërcënimin për shpallje të saj. Mbase kjo qeveri edhe s’e lufton dot virusin, sepse ajo është ngritur paligjshëm në kohë virusi e duke iu falënderuar virusit. Kjo qeveri është e integrueshme te virusi Corona.

Populli i Kosovës ka një refleks padëgjueshmërie qytetare ndaj kësaj qeverie të pabesueshme. Politikanët që e kanë pre në besë popullin, populli kurrë nuk u beson. Kjo qeveri nuk gëzon besimin e popullit, sepse është besëthyer. Prandaj, armiku të cilit qeveria po synon t’ia shpallë gjendjen e jashtëzakonshme është pikërisht populli. Ministri Zezaj i qeverisë Koti po ju kanoset qytetarëve të cilët tashmë i ka shpallur të pabindur e të padisiplinuar. Pra, gjendjen e jashtëzakonshme po duan t’ia shpallin popullit. Por, ne e dimë që sistemi shtetëror, në përgjithësi, nuk ka dështuar, dhe se dështimi ka emra të përveçëm individësh. Nuk kanë dështuar policia apo mjekësia, por ministrat dhe qeveria.

Në bazë të nenit 131 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, gjendjen e jashtëzakonshme e shpall presidenti, dekreti i të cilit duhet të marrë pëlqimin në Kuvend. Pse kjo qeveri na kërcënon me shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme? Çfarë pune ka ajo me këtë shpallje? Vetëm një shpjegim e ka kjo: kryeministri koti është zëdhënës i presidencës, vegël e Thaçit, e i cili karrigen e presidentit të Republikës e mori me vete para prokurorisë speciale në Hagë.

Në republikë, sovran është shteti e burim i sovranitetit populli; në monarki, sovran është mbreti. Presidenti nuk është sovrani. Ai nuk mund ta marrë me vete karrigen presidenciale e ta çojë në prokurori a gjykatë. Kosova nuk ua ka pasur borxh këtë.

Përgjatë atyre katër muajve, ne u patëm kujdesur për sistemin imunitar të qytetarëve dhe imunitetin e sistemit shëndetësor. Jemi kujdesur për shëndetin publik të popullsisë dhe për mbijetesën e rimëkëmbjen e ekonomisë. Duke mos u angazhuar për të gjitha këto e duke mos i kuptuar të lidhura, këta po na i humbin të gjitha. Tash, kjo qeveri don pakt social, don marrëveshje që s’është aspak xhentëllmene, me qasjen: pleqtë bën të vdesin, ata që kanë sëmundje shoqëruese bën të vdesin. Është në rrezik asgjë më pak se etika dhe vlerat tona kombëtare e njerëzore.

Të dashur qytetarë,

Zgjidhja ekziston: procedimi i Ligjit Anti-COVID të cilin e ka iniciuar Kryetarja e Kuvendit, znj. Vjosa Osmani, dhe të cilin e ka kërkuar vetë Gjykata Kushtetuese para më shumë se tre muajve. Zgjidhja pra ekziston, por këta nuk duan zgjidhje. Andaj, ndërkohë, ruajeni veten dhe njëri-tjetrin, kujtoni porositë tona e udhëzimet e mjekëve: mbani higjienën personale, mbani distancën fizike, mbani maskat mbrojtëse. Le ta forcojmë solidaritetin shoqëror kur qeveria na e ka dobësuar shtetin demokratik. Përballë paaftësisë së qeverisë për të qeverisur, le të kujdesemi ne vetë për jetën dhe shëndetin e të gjithëve.

Me këtë rast, u shpreh ngushëllime të gjithë familjarëve të të vdekurve nga virusi Corona dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë e të plotë secilit qytetar të sëmurë, deputetëve të infektuar si dhe kryetarit të LDK-së, Mustafa.

Ju faleminderit e mirupafshim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA