Hapet bypass-i i Tepelenës, Rama: I trashëguar ndër dekada si një shteg buzë kalasë së Ali Pashës

13/07/2020 13:34

TEPELENË-  Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se është hapur bypass-i i Tepelenës.

Rama së bashku me ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, ish- ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe kryetari i Bashkisë, Tërmet Peçi kanë qenë në terren për të inspektuar hapjen e këtij segmenti rrugor.

Kryeministri e ka cilësuar bypass-in e Tepelenës si një vepër tjetër e rëndësishme e infrastrukturës kombëtare.

“Punimet kanë qenë të shumta, jo vetëm sa i përket shtresave dhe ndërtimit të këtij Bypass-i, i cili, duhet theksuar që në kilometrin e tij të parë ka një ramë konsol, e cila është e para në Shqipëri, që qëndron mbi lumin Vjosë, e ndërtuar mbi kollonata betoni. Këtu ka pasur ndërhyrje shumë të thella edhe sa i përket pjesës së skarpateve të Kalasë, të cilat tashmë janë të mbuluara me rrjetë teli dhe me bimësi vegjetale (Green Fix), ndërkohë që kemi ndërhyrë edhe në pjesë tjera të kësaj rruge, duke qenë se është shumë e lidhur me qytetin. Nga të dy krahët e rrugës ka trotuar për kalimin e qytetarëve. Gjithashtu, kemi bërë punime dhe kemi ndërhyrë në urën e vjetër të Ali Pashës, që tashmë është drejt përfundimit të restaurimit, urë e cila është monument kulture,” u shpreh ministrja Belinda Balluku.

Ndërsa kryetari i Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi tha se Tepelena nuk ka njohur investime të përmasave të tilla për dekada të tëra: “Këto investime, Tepelena nuk i ka pasur në shekuj, jo më në vite. Investimi i Bypass-it, pas Kalasë së Ali Pashë Tepelenës është investimi më i madh”, u shpreh ai.

Kryeministri Edi Rama e lidhi investimin për Bypass-in me zhvillimin turistik të Tepelenës, Gjirokastrës, por edhe të të gjithë zonës së jugut.

“Dalja në det e Tepelenës lidh komplet Qarkun e Gjirokastrës me Himarën, këshu që paketa turistike bëhet e plotë. Nga xhep fallso, këtu kthehet në nyje zhvillimi,” – u shpreh Kryeministri Rama, ndërsa theksoi se banorët e Tepelenës “kanë fatin që atë situatë të tmerrshme që kishin ta kthejnë në një situatë burimi eknomik”. “Kalaja, – shtoi Kryeministri, – duhet bërë “mizë lisi” në sezonin turistik.”

Bashkë me Bypass-in është bërë dhe zgjerimi i urës së vjetër me harqe, duke ruajtur arkitekturën e saj, si dhe është bërë rikonstruksion i gjithë sheshit të Lapidarit të pozicionuar nga ana e Lumit Vjosë. Githashtu janë realizuar dy tortuare përgjatë segmentit të parë dhe të dytë, të cilët kanë lidhje me qytetin e Tepelenës, duke krijuar një shëtitore të gjatë shlodhëse. I gjithë aksi është i pajisur me ndriçim dhe me të gjitha elementët e sinjalistikës dhe sigurisë rrugore.

Në skarpatën e Kalasë janë bërë punime, duke iu përshtatur natyrës historike dhe arkitekturës së Kalasë. Në mes të Bypass-it është një nga hyrjet për në qytetin e Tepelenës. Sheshi “Ali Pasha” është shtruar me pllaka guri dhe janë mbjellë 7 rrape të kuq. Për të mbrojtur sistemin ekologjik të zonës, në të gjithë projektin janë mbjellë 550 pemë dekorative, akacie, rrapenje dhe oleandër.

Mbrojtja lumore dhe e shpatit në zonën e Kalasë është një tjetër investim në mbrojtje të rrugës dhe monumentit të kulturës, Kalasë së Ali Pashës nga gërryerjet e lumit Vjosa.

Me kërkesë të Bashkisë Tepelenë për plotësimin e projektit me elementë urbanë janë miratuar nga Këshilli Teknik i ARRSH-së edhe ndërtimi i një muri pritës për të mbrojtur skarpatën e Kalasë, si dhe ndërtimi i një pasarele përgjatë murit të Kalasë. Gjithashtu në sheshin “Ali Pasha” parashikohet të ndërtohet një belvedere me stola dhe gjelbërim, e cila do të shërbejë për atraksion turistik, si dhe është parashikuar që të bëhet rikonstruksion i dy këmbëve të urës së vjetër romake mbi lumin Vjosë që rrezikojnë të shkatërrohen, si dhe ndiçimi i të gjithë pasarelës. ​

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA