Top Talk/ PS – ndryshimet kushtetuese nuk prekin marrëveshjen e Këshillit Politik për zgjedhjet. Ja përse!

06/07/2020 18:02

Në studion e emisionit “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja ishte i ftuar deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni.

Gjatë fjalës së tij, deputeti sqaroi se ndryshimet kushtetuese nuk prekin marrëveshjen e Këshillit Politik për zgjedhjet dhe se mazhoranca nuk ka paraqitur asnjë iniciativë për ndryshime në kushtetutë. Sipas Hysenit, ndryshimet në kushtetutë, janë iniciuar nga opozita parlamentare. Topi për miratimin e marrëveshjes politike, sipas Hysenit, i ka kaluar opozitës jashtë parlamentare, e cila duhet të gjejë votat në radhët e opozitës në parlament, për të miratuar marrëveshjen.

“Partia Socialiste nuk ka paraqitur asnjë iniciativë për ndryshimin e kushtetutës. Ka një iniciativë të një grupi deputetësh të opozitës parlamentare për ndryshimin e kushtetutës. Ne në përputhje me kushtetutën dhe rregulloren e kuvendit, jemi të detyruar pikë për pikë për të respektuar procedurën përkatëse në këtë rast, për të diskutuar dhe për të marrë një vendim në fund të këtij procesi. Përtej kësaj më lejoni t’ju kujtoj që Partia Socialiste në Këshillin Politik, me përfaqësuesin Gjiknuri ka miratuar ndryshimin në Kodin Zgjedhor, nuk ka qenë pjesë e asaj pakete, pjesa e ndryshimeve kushtetues, pjesa e sistemit, nuk ka qenë diskutuar fare. Nga kjo pikëpamje, së pari nuk ka asnjë pengesë për këtë diskutim dhe nuk mbivendosen këto marrëveshje, nëse ka pretendime nga forca të caktuara të cilat mendojnë që u bien ndesh me objektivat e tyre politike, kjo është një çështje tjetër. Marrëveshja politike është miratuar por është një marrëveshje politike, deri ditën që nuk përkthehet me votat që kushtetuta parashikon në kuvend, për t’u bërë ligj, pra për t’u bërë kod. Dhe sa kohë ne si mazhorancë nuk i kemi ato vota, jemi të detyruar të diskutojmë se si mund të garantohen këto vota. Do të ishte mirë që këtë kalkulim ta bënte opozita, sepse edhe opozita parlamentare është produkti i asaj opozite që nënshkroi këtë marrëveshje së bashku me ne. Ne jemi të hapur, ia lëmë opozitës jashtë parlamentare të negociojë dhe të gjejë votat tek njerëzit e saj, tek ata njerëz që i solli si produkt i listave të saj në parlament. Dhe nëse votat garantohen ne e kalojmë marrëveshjen siç është, se ne jemi një parti serioze dhe i qëndrojmë marrëveshjeve. Ne kemi një detyrim, që këtë marrëveshje ta heqim si një pengesë në rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Për hatër të kësaj jemi në pozicion jo komod, jemi mes dy zjarreve jo më kot e themi. Nga njëra anë kemi opozitën jashtë parlamentare, e cila ndryshimet nuk i sheh si ndryshime parimesh, por i sheh si kalkulime elektorale. Dhe nga ana tjetër kemi një opozitë, të prejardhur nga kjo që është opozita parlamentare, e cila ka kalkulimet e saj. Shqetësime që në fakt i ka adresuar që në krye të herës. Po të mbani mend në Komisionin e Reformës Zgjedhore, një nga pikat për diskutim ka qenë edhe kjo, çështja e diskutimit të sistemit”, u shpreh Hyseni.

Top Channel