Trump thotë se “fashizmi po sulmon” vlerat dhe historinë amerikane

04/07/2020 10:45

Presidenti amerikan, Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë nën sulm nga një “fashizëm i ri i majtë” që ka një sjellje “totalitare” ndaj vlerave dhe historisë amerikane.

Në fjalimin e mbajtur më 3 korrik, në Malin Rushmore vetëm një ditë para Ditës së Pavarësisë, Trump u tha mbështetësve të tij se monumenti që ka të gdhendur figurat e katër presidentëve kurrë “nuk do të shkatërrohet”.

Në fjalimin e tij, Trump dënoi shkatërrimin e statujave nga “turmat e zemëruara” dhe “valës së dhunës” të parë në disa qytete.

Këto komente vijnë pas më shumë se një muaji protesta kundër racizmit dhe pabarazisë, që u nxitën pas vrasjes së afrikano-amerikanit, George Floyd nga policia në Mineapolis.

Disa protesta kanë qenë të dhunshme dhe protestuesit kanë shkaktuar dëme materiale, teksa disa aktivistë kanë dëmtuar edhe monumentet të Konfederatës dhe statujat të figurave të Luftës Civile Amerikane. Disa aktivistë kanë bërë thirrje për heqjen e të gjitha simboleve të racizmit, përfshirë edhe statujat e disa prej themeluesve të shtetit amerikan, të cilët kanë pasur skllevër.

Trump paralajmëroi se “revolucioni kulturor i krahut të majtë është i dizajnuar që të rrëzojë Revolucionin Amerikan”, duke indoktrinuar fëmijët dhe duke fshirë vlerat dhe historinë e vendit.

Trump do të marrë pjesë edhe në festimet për Ditën e Pavarësisë më 4 korrik në Uashington.

Më 4 korrik, SHBA-ja shënon 244-vjetorin e pavarësisë.

Ky përvjetor i pavarësisë shënohet kur në SHBA, 125,000 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi, teksa numri i rasteve të reja me këtë virus po vazhdon të rritet.

Top Channel