Trump flet në Malin Rushmore: Ky sulm ndaj lirisë sonë duhet të ndalet, dhe do të ndalet!

04/07/2020 11:35

Presidenti Donald Trump vizitoi monumentin gjigant “Mount Rushmore” në Dakotën e Jugut duke shënuar kështu fillimin e festimeve me rastin e Ditës së Pavarësisë së vendit, me një shfaqje patriotike me fishekzjarre para një turme prej mijëra njerëzish.

Monumenti është një skulpturë masive ku janë skalitur portretet e presidentëve amerikanë George Washington, Thomas Jefferson, Theodore Roosevelt dhe Abraham Lincoln. Nga aty, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara po kthehen në dëshmitare të fushatës së pamëshirshme për të fshirë, siç tha ai, “historinë tonë, vlerat tona, për të hedhur baltë mbi heronjtë tanë e për të na indoktrinuar fëmijët”. Presidenti iu referua në fjalën e tij sulmeve ndaj statujave në Amerikë e në mbarë botën, që morën hov pas protestave të Black Lives Matter.

“Ky monument nuk do të përdhoset kurrë; arritjet e tyre nuk do të harrohen kurrë dhe Mali Rushmore do të qëndrojë përgjithmonë në këmbë. Ky sulm ndaj lirisë sonë duhet të ndalet, dhe do të ndalet. Në shkollat tona, redaksitë tona dhe madje edhe zyrat tona, ekziston një fashizëm i ri i majtë. Kjo është arsyeja pse po dërgojë agjentët tanë ligjzbatues për të mbrojtur monumentet tona, për të arrestuar rebelët dhe përndjekur shkelësit në zbatim të plotë të ligjit”.

Vizita e Trumpit vjen gjatë një debati kombëtar mbi monumentet që nderojnë udhëheqësit amerikanë të cilët kanë patur skllevër apo pikëpamje raciste. Universitetet dhe qeveritë lokale në të gjithë vendin po heqin monumentet që kanë nxitur debat, në një kohë kur shumë amerikanë po protestojnë për të gjetur mënyra se si të adresohet racizmi sistemik pas vdekjes së George Floyd, një afrikano-amerikani, i cili humbi jetën në duart e policisë në muajin maj.

SHBA-ja feston sot 244-vjetorin e pavarësisë, një kremtim ky që mbahet mes të tjerash edhe në kohën kur bota po përballet me pandeminë e koronavirusit, e cila Amerikën e ka goditur shumë rëndë.

Top Channel