Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe autoritete të tjera, përgjatë muajve të fundit kanë këshilluar duhanpirësit të heqin dorë nga cigaret, jo vetëm për ndikimin që ato kanë në sistemin respirator, por gjithashtu dhe për faktin se shkëmbimi i këtyre produkteve mund të transmetojë virusin mes njerëzve.

Por në të njëjtën kohë, njerëzit fatkeqësisht nuk e ndaluan duhanpirjen. Për më tepër të rinjtë dhe duhanpirësit me nivel më të ulët të ardhurash, tërhiqen nga shitja e duhanit me dredhje, paketave të hapura, ose cigareve me copë, të cilat njihen si nga mënyrat më të përdorura të tregtisë së paligjshme të cigareve. Por duke qenë se kjo mënyrë tregtimi i ekspozon fijet e cigareve në mjedise jo higjienike, që prej magazinimit ashtu dhe prekjes nga duar të ndryshme, kthehet në një vatër infeksioni.

Ndërkohë që në të gjithë botën po rekomandohet kujdesi ndaj higjienës dhe distancimit social, një kujdes i shtuar duhet treguar dhe në përzgjedhjen e produkteve në treg. Në kohë të tilla si pandemia që ka izoluar shtete të tëra dhe ka ndikuar ndjeshëm në ekonominë e vendeve por dhe të individëve, duhanpirësit joshen në treg nga cigare me çmime më të lira, të cilat janë prodhuar në mënyrë të pakontrolluar nga punishte të paligjshme dhe të magazinuara në kushte jo higjienike.

Tregtarët e paligjshëm që i prodhojnë kanë qëllim vetëm përfitimin monetar dhe si rrjedhojë përdorin përbërësit më të lirë që mund të gjejnë në tregjet anë e mbanë botës. Cigaret e prodhuara prej tyre, për të joshur konsumatorët në treg, vijnë përmes çmimeve të lira, dhe sigurisht nuk paguajnë taksa, duke shkaktuar humbje të të ardhurave në buxhetin e shtetit që nënkupton më pak investime për spitalet, shërbimet publike apo infrastrukturë rrugore me cilësi të lartë.

Cigaret e prodhuara në mënyrë të pakontrolluar kanë cilësi shumë të ulët dhe mund të përmbajnë përbërës që nuk gjenden në produkte origjinale si p.sh. metale të rënda të rrezikshme, mbeturina të lëna nga minjtë dhe gjethe nga më të ndryshmet, të gjitha këto të gjetura në produktet e testuar.

Gjithashtu është zbuluar se cigaret që shiten në tregun e zi përmbajnë nivele të larta të plumbit, arsenikut dhe mërkurit, si dhe shumë substanca të dëmshme. Ato përmbajnë dhe sasi shumë më të larta të kancerogjenëve të njohur krahasuar me cigaret normale si dhe 160 përqind më shumë katran, 80 përqind më shumë nikotinë dhe 133 përqind më shumë monoksid karboni.  Për më tepër, këto produkte të paligjshme janë më të predispozuara se cigaret normale, që të kenë ndikim negativ si në shëndetin mendor ashtu dhe fizik të duhanpirësve, pasi dhe në vet mënyrën e prodhimit të tyre nuk kontrollohet zbatimi i rregullave të përcaktuara të prodhimit.

Ndikimi i tregtimit të paligjshëm të cigareve vihet re dhe në shëndetin publik duke qenë se këto produkte ofrohen në treg me çmime konkuruese, ato nxisin të rinjtë në eksperimentimin dhe përdorimin e duhanit.

Top Channel