Sfida e parë gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë mes Bylisit dhe Tiranës ka shkuar në favor të vendasve, të cilët arritën të fitojnë 2-1 me përmbysje dhe të hedhin një hap të rëndësishëm drejt kalimit në finale.
Tirana e nisi më mirë ndeshjen dhe krijoi disa aksione sulmuese, ndërsa në minutën e 20-ë gjeti edhe golin e avantazhit, teksa fantazisti shkodran Edon Hasani u harrua i lirë në zonë dhe dërgoi sferën në rrjetë.
Ballshiotët provuan reagimin dhe arritën t’i afrohen disa herë rrezikshëm kuadratit të mbrojtur nga Ilion Lika, por pavarësisht përpjekjeve, pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin minimal të miqve.
Pjesa e dytë ishte ndjeshëm më e mirë për Bylisin, e ndihmuar edhe nga një pasivitet i futbollistëve bardheblu, ndërsa mallakastriotët humbën një sërë rastesh të mira shënimi.
Megjithatë goli ishte rrotull dhe erdhi në minutën e 65-të, kur kapiteni i Bylisit, Valentino Murataj arriti të mposhtë Ilion Likën dhe të rikthejë baraspeshën.
Goli nuk “zgjoi” aspak Tiranën, ndërsa krejt e kundërta ndodhi me ballshiotët, që vijuan të shohin nga sulmi dhe në minutën e 76’ gjetën edhe golin avantazhit, të shënuar sërish nga kapiteni Valentino Murataj, pas një gjuajtjeje të Goxhës, të grushtuar nga Lika.
Në minutat shtesë, pas një krosimi në zonë të Peposhit, Majkëll Peçi gaboi fatalisht duke mos devijuar për në rrjetë një top nga vetëm një metër larg vijës fatale, ndërsa më pas u përplas me portierin Lika dhe arbitri vërshëlleu për një 11-metërsh në favor të vendasve.
Nga pika e penalltisë shkoi ish mbrojtësi i bardhebluve, Jurgen Goxha, i cili gjuajti në kuadrat, por gjeti në gatishmëri gardianin bardheblu, i cili arriti të zotërojë topin në dy kohë dhe të mos lejojë thellimin e rezultatit.
Menjëherë më pas erdhi vërshëllima finale e arbitrit, që la në fuqi fitoren 2-1 të mallakastriotëve, rezultat ky që favorizon këta të fundit për finalen, por lë të hapura llogaritë për ndeshjen e kthimit, që do të luhet dy javë më vonë./SS/
Top Channel