Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim eTërnava, ka filluar mbledhjen e radhës së Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës me një apel ndaj të gjithë besimtarëve, nëpunësve fetarë dhe imamëve, që të respektohen të gjitha masat parandaluese për përhapjen e pandemisë COVID – 19.
Duke parë situatën shqetësuese dhe rritjen e rasteve të të infektuarve në vend, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka bërë thirrje që të respektohen në maksimum të gjitha rekomandimet nga institucionet shëndetësore.
Mes tjerash, ai apeloj te të gjithë besimtarët që të jenë të kujdesshëm në ruajtjen e distancës sociale, t’i shmangin tubimet, të kenë kujdes të shtuar në higjienën personale dhe në mbajtjen e maskave dhe dorëzave.
Ai po ashtu bëri thirrje te të gjithë imamët që hytben e xhumasë të mos e zgjasin më shumë se 10 minuta.
Apeli i plotë i Myftiut, Naim ef. Tërnava:
Të nderuar të pranishëm Ditëve të fundit është shqetësuese gjendja e krijuar te ne nga pandemia Covid 19, siç po shihni kemi një rikthim të pandemisë, rritja e numrit të infektuarve është brengosëse për të gjithë, sepse është në pyetje shëndeti publik, shëndeti ynë, shëndeti i njerëzve tanë.
Ne i dimë edhe kapacitetet tona që kemi si vend e si institucione, andaj e gjej të rrugës sot që nga këtu edhe njëherë të bëjë apel të popullata që të jenë të ndërgjegjshëm në zbatimin e protokolleve që kanë paraparë institucionet profesionale të vendit.
Zbatimi i protokolleve e masave që kanë rekomanduar institucionet është mese i domosdoshëm për të gjithë ne, duke u nisur gjithsecili nga vetja, nga shtëpitë tona, familjet tona, si në rrugë, treg, punë, xhami apo kudo që ndodhemi.
Apeloj edhe njëherë të popullata, tek besimtarët tanë të jenë të kujdesshëm, të tregohen vigjilent me pandeminë.
Virusi fatkeqësisht është në mesin tonë dhe po rrezikon shëndetin e popullatës, andaj ftoj edhe një herë që të ruhet distanca sociale, të shmangen tubimet, dhe të kemi kujdes maksimal për higjienën personale, të mbajmë e maska e dorëza.
Gjithashtu, kërkoj nga besimtarët tanë që me rastin e shkuarjes në xhami të kenë parasysh distancën sociale, mbajtjen e maskave dhe qëndrimin jo të gjatë në xhami. Ndërsa nga imamët kërkoj që ditën e xhumasë mos të zgjasin hytben e xhumasë më shumë se 10 min.
Të nderuar besimtarë,
Zoti i Plotfuqishëm në Kuranin Fisnik na ka urdhëruar të ruajmë shëndetin dhe jetën e njeriut , andaj e kemi obligim dhe detyrim fetar e njerëzor të ruajmë shëndetin dhe të mbrojmë jetën e njeriut dhe kurrsesi nuk guxojmë që me pakujdesinë tonë të vëmë në rrezik shëndetin e njerëzve, familjarëve e të dashurve tanë.
Edhe njëherë mbështetje, mirënjohje e solidarizim me punën që po bëjnë mjekët në luftimin e pandemisë. Lusim Zotin Fuqiplotë që me mëshirën e Tij të na falë shëndet e të na mbroj neve dhe vendin tonë nga çdo e keqe.
Top Channel