Presidenti i Tiranës, Refik Halili ndërhyri në një lidhje telefonike në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, ku komentoi dyshimet për trukim të ndeshjes me Bylisin. Ai pranoi se mund të ketë pasur një dorë të jashtme në këtë çështje, por premtoi analizë të detajuar për të zbuluar se çfarë ndodhi sot në Ballsh.
Përshëndetje president dhe faleminderit që ndërhytë në bisedën tonë…
Nuk mund të hidhet një baltë e tmerrshme, në një moment shumë të vështirë, ku ne bëmë shumë rotacion. Është pak e pafalshme që ndryshuam aq shumë në formacion, por kjo është bërë që të kënaqim edhe ata që luajtën pak. Nuk hedh poshtë lojtarët e mi, por do të nis të bëj një analizë me detaje, për të kuptuar çdo gjë që ka ndodhur. Jam i bindur që të gjitha ndeshjet i kemi marrë me gjak dhe djersë, ndërsa çdo para e kemi hedhur në formë premioje për futbollistët. Unë jam shumë i mirë, por edhe shumë i keq për raste të tilla, ndaj do të analizoj me detaje çdo rast. Ndeshja e sotme mund të jetë e kapur nga njerëz të tjerë, jashtë klubit të Tiranës, që kanë provuar të fitojnë para, por ju garantoj që janë shkatërruar. Nuk jemi eliminuar nga Kupa dhe ju siguroj që do të kualifikohemi në ndeshjen e kthimit.
Po thoni që është kapur nga njerëz nga jashtë klubit?
Po, sepse pashë një atmosferë që nuk më pëlqeu. Nëse kanë provuar të fitojnë para në kurriz të Tiranës, ju siguroj që i kanë humbur dhe janë shkatërruar.
E thoni këtë në lidhje me penalltinë e humbur në fund?
Po, pikërisht, sepse pashë gjëra që nuk më pëlqyen, ndonëse mendoj që ndikoi edhe rotacioni.
E pranoni një hetim nga ana e prokurorisë?
Patjetër që po dhe nëse provohet që Tirana ka përfituar qoftë edhe nëj dollar nga kjo ngjarje, pranoj jo vetëm të dënohem, por edhe të varem në litar. Kam investuar 14 milionë euro për këtë klub dhe nuk mund ta shkatërroj për 50, 100 apo 300 mijë euro. Nëse konstatohet diçka e tillë, jam gati të varem në litar. Unë nuk kam ndërhyrë kurrë në formacion dhe përfitoj nga rasti të konfirmoj se kam vendosur që të mbaj Egbonë në pankinë edhe për sezonin e ardhshëm. E kemi mbyllur marrëveshjen me të dhe do të vijojmë bashkë. Megjithatë e theksoj që ndikuan edhe ndryshimi i formacionit dhe temperaturat e larta.
A e ka lënë ndeshjen Tirana në pjesën e dytë? Kush është ai burrë që guxon t’i shkojë skuadrës së Refik Halilit brenda dhe ta urdhërojë të lërë ndeshjen?
Unë nuk dua të devijoj pyetjen, por kur shikoja që Lika bënte gjithë ato pritje, kuptova që kishte një farë tolerimi. Ndikuan edhe ndryshimet e shumta në formacion. Megjithatë që sonte unë do të mbledh klubin dhe do të kërkoj të gjej çfarë ka ndodhur. Kemi fituar me gjak, mund dhe djersë në çdo ndeshje, ndaj nuk dua të na i hedhin poshtë këtë.
Si duhet të ndihet një tifoz i Tiranës, kur sheh atë pjesë të dytë në Ballsh?
Duhet të diskutojmë çfarë ka ndodhur dhe nëse është kurdisur diçka, hajde ta gjejmë kush e ka bërë. Unë ju siguroj që në arkat e klubit të Tiranës nuk është futur dhe nuk mund të futet asnjë dollar i pistë. Jam gati të tregoj me dokumente të gjithë të ardhurat e klubit. Me mirësi do të shlyejmë këtë që ndodhi dhe jam i bindur që ata që kanë provuar të na baltosin, kanë humbur shumë sot. Ju falënderoj që nuk na lini të gabojmë, por kërkojmë më shumë tolerancë ndaj nesh./SS/
Top Channel