Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, urdhëroi ambasadoren e Bashkimit Europian atje që të largohet brenda 72 orësh.
Dëbimi i Isabel Brilhante Pedrosas erdhi disa orë pasi BE-ja vendosi sanksione kundër 11 zyrtarëve të Venezuelës. Ata u sanksionuan për veprime kundër Asamblesë kombëtare, të kryesuar nga udhëheqësi i opozitës, Juan Guaido.
Guaido e ka shpallur veten president të përkohshëm vitin e kaluar, por nuk ka arritur ta largojë Maduron nga pushteti. Lideri i opozitës ka mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara.
“Nëse ata nuk mund ta respektojnë Venezuelën, atëherë duhet të largohen”, tha Maduro duke folur për zyrtarët e BE-së. Të hënën, Këshilli Europian tha se 11 zyrtarë të Venezuelës janë shtuar në listën e të sanksionuarve “për shkak të rolit të tyre në akte dhe vendime që dëmtojnë demokracinë dhe shtetin e ligjit në Venezuelë”. Në total janë 36 zyrtarë të Venezuelës të sanksionuar nga BE-ja.
Top Channel