Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për mbrojtjen e monumenteve, përkujtimoreve dhe statujave. “Pata privilegjin të nënshkruaja një Urdhër Ekzekutiv shumë të fortë për mbrojtjen e Monumenteve Amerikane, Përkujtimoreve dhe Statujave dhe për të luftuar Dhunën Kriminale të kohëve të fundit.
Dënime të gjata me burg për këto veprime të paligjshme kundër Vendit tonë Madhështor!”, shkruante ai në Twitter. Trump kishte premtuar në fillim të javës se do të merrte masa pasi policia frenoi një përpjekje të protestuesve për të rrëzuar një statujë të ish-presidentit Andrew Jackson në një park pranë Shtëpisë së Bardhë.
Sipas urdhrit, Prokurori i Përgjithshëm duhet të ndjekë penalisht në maksimum çdo person apo grup që shkatërron ose vandalizon një monument, memorial ose statujë. Ligji federal autorizon një denim deri në 10 vjet burg për “dëmtimin e qëllimshëm” të pasurive federale. Në urdhër bëhet thirrje për ndjekjen maksimale penale për këdo që nxit dhunë dhe aktivitete të paligjshme dhe paralajmërohen agjencitë lokale të rendit që nuk mbrojnë monumentet me humbje të fondeve federale.
Në javët pas vdekjes së George Floyd-it ndërsa ishte në duart e policisë në shtetin e Minesotës që nxitën protestat për trajtimin e afrikano-amerikanëve, disa monumente të Konfederatës në Shtetet e Bashkuara janë dëmtuar ose rrëzuar nga demonstruesit.
Top Channel