Në startin e këtij sezoni askush në kampin e Liverpul nuk do ta kishte menduar se do të fitonin titullin, në mënyrën më të thjeshtë, duke parë televizor nga shtëpia. Skuadra e Jutrgen Klop mori edhe sigurinë matematikore për fronin e futbollit anglez pas plot 3 dekadash mungesë, dhe këtë e bëri pa luajtur fare, por duke admiruar fitoren e Çelsit 2-1 kundër Mancester Sitit, që ia thjeshtoi gjërat në këtë fund sezoni.

Blutë kishin nevojë për një sukses të rëndësishëm në Stemford Brixh për të siguruar vendin që i kualifikon në Champions, dhe pavarësisht koefiçentit të vështirësisë, ia dolën përballë Citizens.

Kristian Pulisiç prishi ekuilibrat me një goditje të saktë pas një kundërsulmi që nxorri zbuluar prapavijën e miqve. Por armata e Pep Guardiolës u përgjigj plot klas në pjesën e dytë, me kryeveprën e De Brujn nga goditje dënimi, një harkim në portën e Kepa që nuk mund të bënte asgjë. Rrjeta që vendosi ndeshjen, e bashkë me të verdiktin më të rëndësishëm sezonal, erdhi përmes një penalltie të transorfmuar nga Uillian, që u vendos nga sistemi VAR. Kaq ishte…Me 86 pikë Liverpul është i pakapshëm në ndeshjet e mbetura dhe lufta tani është për rënien dhe për Ligën e Kampioneve.

Në ditën më të nxehtë të 2020 në Britaninë e Madhe, Arsenal djersiti shumë por ia doli të marrë fitoren e parë pas rinisjes së kampionatit anglez të futbollit. Suksesi aspak i bukur dhe cinik i formacionit londinez, erdhi nga dy episode. Fillimisht një gafë e portierit MekKarthi i dha një gol të lehtë talenti Nketiah, dhe kjo solli reagimin e Saints që provuan me të gjitha mënyrat për të barazuar.

Simfonia e lojës së padronëve të shtëpisë u duk se do të sillte përmbysjen, por përjashtimi i Stefëns prishi planet ndërsa Arsenal shënoi dhe golin e dytë me Uillok. Pas dy humbjesh radhazi, londinezët rikthehen ku duhet, por kualifikimi në Champions është ende larg.

Top Channel