24 orë pas fitores minimale të Barcelonës ndaj Athletic Bilbaos, Real Madridi rikthehet në krye të La Ligas. “Los Blancos” bënë detyrën në stadiumin “Alfredo di Stefano”, ku mposhtën me rezultatin 2-0 Mallorcan.

Suksesi i pritshëm ky i skuadrës së drejtuar nga Zinedine Zidane, që i mbeten edhe shtatë finale për të zbritur Barcelonën nga froni i kampionit.

I bukur goli i parë i ndeshjes i shënuar nga Vinicius Jr në minutën e 19-të, por edhe më i mrekullueshëm ekzekutimi i goditjes së lirë në stilin alla-Ronaldo nga Sergio Ramos, që ka marrë statusin e goleadorit te Reali, teksa ka shënuar tri herë në katër ndeshjet e fundit.

Ndërkohë, Celta Vigo fut në krizë të thellë Real Sociedadin, duke e mposhtur 0-1 në San Sebastian, ku gjithçka u vendos nga goli i Aspas me 11-metërsh. Po 0-1 Osasuna fitoi në fushën e Alavesit me gol të Latos.

Top Channel