Liverpooli dhuroi spektakël përballë Crystal Palace në “Amnfield Road”, ku shënoi katër gola të mrekullueshëm, të denjë për “Çmimin Puskas”, e tashmë pret një dhuratë nga Chelsea që përballet me Manchester City-n këtë të enjte në, “Stamford Bridge”, për t’u shpallur matematikisht kampion i Premier League-s.

Alexander-Arnold, Salah, Fabinho dhe Mane garuan në këtë përballje për golin më të bukur, pasi finalizimet e tyre ishin për manual. E çeli serinë mbrojtësi i djathtë me një perlë nga goditja e lirë, e pakapshme nga portieri Hennessey.

Në fund të pjesës së parë Fabinho shërbeu bukur nga mesfusha për egjiptianin Salah, që tregoi më të mirën e tij në kontrollin e topit dhe në finalizim, 2-0. Për kornizë edhe “siluri” i Fabinhos në minutën e 55-të, që nuk i dha asnjë shans portierit Hennesey, 3-0.

E ç’mund të bënte “gardiani” i Crystal Palace në minutën e 69-të, kur Salah, me shumë zgjuarsi, nxori Manenë të lirë, me sulmuesin senegalez që nuk gaboi me një goditje diagonale, që përfundoi në cepin e portës. Përfundimisht 4-0 në “Anfield”, ku Liverpooli zhvilloi në këtë javë të 31-të një nga ndeshjet më të bukura të sezonit.

Top Channel