Pas Interit, edhe Lazio i jep një asist Juventusit në garën për titullin e Serisë A. Bardhekaltrit shpërdoruan avantazhin e dy golave të fillimit të pjesës së parë, duke u mposhtur në fund 3-2. Feston Berat Gjimshiti, që hedh një tjetër hap të rëndësishëm drejt sigurimit të një vendi në zonën Champions, hidhërohet Strakosha, i cili sheh Juven që shkon +4 nga Lazio.

Bardhekaltrit e nisën në mënyrë perfekte këtë përballje, teksa në minutën e 11-të e panë veten në epërsi të dyfishtë. Pa u mbushur 5 minuta lojë, De Roon e devijoi gabimisht topin në portën e tij e pa e marrë veten nga pësimi i golit të parë të ndeshjes Atalanta e nis sërish lojën nga qendra, falë një perle të Milinkovic-Savicit, që përfundoi në trekëndësh.

Futbollistët vendës dalëngadalë e shtruan lojën, derisa në minutën e 38-të Gosens goditi bukur me kokë, duke mposhtur Thomas Strakoshën, 2-1. Portieri shqiptar i bardhekaltërve u kap në befasi në minutën e 66-të, kur Malinovky shkarkoi të majtën nga jashtë zonës, me topin që përfundoi në trekëndësh.

Tashmë me moralin në pikën më të lartë, bergamaksët kompletuan përmbysjen e madhe me golin e Palominos në shtyllën e dytë, aty ku Strakosha nuk arriti të orientohej si duhej pas ekzekutimit të këndores, 3-2.

Fitore me përmbysje arriti edhe Roma përballë Sampdorias në “Olimpico” (2-1). Miqtë nga Genoa kaluan në epërsi në minutën e 11-të me Gabiadinin, por verdhekuqtë pas shumë vuajtjesh e tundën dy herë rrjetën me të njëjtin autor, boshnjakun Edin Dzeko, në minutat 64’ dhe 85. Diferenca mes Atalanta dhe Romës, që duelojnë për vendin e katërt, mbetet gjashtë pikë.

Top Channel