Banorët e Beogradit reaguan ndaj rezultatit të zgjedhjeve pasi presidenti i Serbisë deklaroi një fitore të thellë për partinë e tij të djathtë në zgjedhjet parlamentare të mbajtura mes shqetësimeve për përhapjen e koronavirusit dhe një bojkot nga shumica e opozitës.
Banorët shprehen se pjesëmarrja ishte e ulët dhe se ndjehen të zhgënjyer nga zgjedhjet. Ndërkohë, edhe vëzhguesit ndërkombëtarë shprehën shqetësim për dominimin e zgjedhjeve nga partia në pushtet si dhe nga mungesa e diversitetit në media që kufizuan mundësitë e votuesve për të zgjedhur.
Vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it bënë të ditura të hënën gjetjet e raportit të tyre paraprak ku thuhet gjithashtu se zgjedhjet ishin të organizuara në mënyrë efikase megjithë kushtet e vështira të pandemisë, por se “…votuesit ishin të keqinformuar dhe të irrituar nga mungesa e qasjes në media të opozitës. Dominimi i partisë në pushtet rrezikon neutralitetin e institucioneve të vendit dhe kërkohet dialog për të tejkaluar ndasitë e thella politike dhe për të mbrojtur pluralizmin”, tha Urszula Gacek, kryetare e misionit të posaçëm të ODIHR-it për vlerësimin e zgjedhjeve.
Aleksandar Vucic u tha mbështetësve se Partia e tij Progresive Serbe fitoi mbi 60% të votave, ose rreth 190 vende në parlamentin serb me 250 vende, cka do të thote praktikisht se sipas rezultateve fillestare jozyrtare, Serbia do të ketë një asamble unike, me praktikisht asnjë zë kundër dhe vetëm tre ose katër parti nga 21 që kandidonin. Ndërkohë, Shaip Kamberi nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, dhe Argjend Bajrami nga Partia Alternativa për Ndryshim, nga Lugina e Preshevës, sipas rezultateve fillestare do të jenë deputetët e rinj shqiptarë në Kuvendin e Serbisë. Në një prononcim për REL, Kamberi tha se ende nuk është qartë nëse do të arrihet që shqiptarët të kenë edhe një vend të tretë, I cili sipas tij mund të jetë për Partinë Demokratike nga Bujanoci.
Kamberi e cilësoi të rëndësishme pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhje, duke thënë se “ ky është një fuqizim i shqiptarëve në nivel qendror dhe besoj që përmes këtij fuqizimi të synojmë të realizojmë interesat tona dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohemi”.
Top Channel