Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, deklaroi se takimi i Washingtonit është mjaft i rëndësishëm në rrugën e dialogut.
“E para, unë pres spekulime të vazhdueshme deri në fillimin e takimit të shtunën, por edhe pas takimit. Por ashtu, siç e ka shpjeguar edhe kolegu im, ambasadori Grenell, ne presim që fokusi i këtij takimi të jetë në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga i cili do të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, por edhe rajoni. Ne shpesh kemi thënë se mendojmë se është e rëndësishme që fokusi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të jetë ajo se çfarë përfitojnë qytetarët e zakonshëm”, tha ambasadori.
Në intervistën e tij për Rubikon, Kosnett shtoi se fundi i procesit të bisedimeve, do të rezultojë me njohje reciproke dhe këmbënguli se Shtetet e Bashkuara, nuk janë duke ndjekur idenë e shkëmbimit të territoreve. “Çdo lloj marrëveshjeje gjithpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të ketë mbështetjen e gjerë të qytetarëve të të dyja vendeve; e kam thënë edhe më parë, që ka shumë pak interes në Kosovë për shkëmbim të territoreve, dhe ambasadori Grenell e ka bërë shumë të qartë që kjo nuk është ide e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk ka qenë asnjëherë qëllim i administratës Trump”, shtoi ai.
Çështja e dialogut Prishtinë-Beograd duket se është kthyer në një garë mes SHBA-së dhe BE-së. I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për këtë çështje, Mirosllav Lajçak deklaroi se pret që negociatat të vazhdojë në muajin korrik në Bruksel. Këto komente, ai i bëri pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic në Beograd, I cili shtoi nga ana e tij se Serbia pret vazhdimin e dialogut me Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur, mbase dhe muajin që vjen, por u shpreh se i takon Lajçakut të caktojë një datë.
Top Channel