Conte beson te titulli: Interi im nuk ka asgjë për të humbur, por favorit mbetet Juventusi!

23/06/2020 00:31

Suksesi kundër Sampdorias bëri të mundur që Interi ta shohë veten sërish 6 pikë larg vendit të parë. Zikaltërit vazhdojnë të besojnë tek titulli por, për ta arritur atë, sipas numrit një të stolit nevojitet që Interi të jetë një skuadër edhe më agresive.

“Përsa i përket titullit jemi edhe ne në garë. Nuk kemi asgjë për të humbur duhet të bëjmë më të mirën. Gabimet nuk mungojnë tek skuadra që une kam por, për fat i kemi minimizuar ato. Nuk na lejohet asnjë hap i gabuar. Nuk duhet të mendojmë më se çfarë ndodhi me Napolin, të mendojmë vetëm për atë që na pret“.

Përsa i përket Juventusit kryesues Conte nuk nguron ta shprehë hapur, se bardhezinjtë janë favoritë absolut.

“Ndalesa e kampionatit i ka ndryshuar disi skuadrat. Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë lloj reagimi do të kenë në fushë. Juventus për mua vazhdon të mbetet një skuadër shumë e fortë dhe të vendosur për të marrë maksimumin nga çdo sfidë. Lazio gjithashtu është pjesë e kësaj gare. Sidoqoftë Interi im është i fokusuar maksimalisht për të bërë më të mirën.”

Top Channel