Juventus ka lënë menjëherë pas krahëve dështimin në Kupën e Italisë, pasi reagoi në mënyrën e duhur në kampionat, ku ia doli të marrë një fitore 0-2 në transfertën e vështirë ndaj Bolognës.

Në “Dall’Ara” bardhezinjtë e nisën vrullshëm takimin dhe pas disa tentativash, u shpërblyen me një 11-metërsh në minutën e 23-të, të cilin arbitri Gianluca Rocchi e akordoi vetëm pasi rishikoi aksionin në VAR.

Penalltinë e mori përsipër Cristiano Ronaldo, i cili nuk mund të gabonte dy herë radhazi nga 11 metra distancë dhe arriti të dërgonte sferën në rrjetë, duke shënuar edhe golin e 22-të sezonal në kampionatin italian.

Pak minuta mē vonë ishte argjentinasi Paulo Dybala, i cili në rolin e një sulmuesi fals, u shërbye nga Bernardeschi dhe shënoi golin e dytë, duke vulosur suksesin e bardhezinjve.

Pjesa e dytë pati ritëm më të ulët, ku torinezët tentuan të menaxhojnë forcat, ndërsa Bologna nuk ia doli të rihapë takimin. Vërshëllima finale la në fuqi fitoren e Juves që shkon në kuotën e 66 pikëve, 4 më shumë se Lazio e vendit të dytë.

Top Channel