Facebook të enjten ka hequr reklamat e fushatës elektorale të presidentit Donald Trump që përmbanin një simbol të përdorur në Gjermaninë naziste për të burgosurit politikë.

Rrjeti social, që ka ndezur polemika në lidhje me qëndrimin e tij të distancuar ndaj fjalimeve politike, në muajt e fundit, tha në një deklaratë se mesazhet elektorale shkelnin politikat kundër urrejtjes ndaj edhe ishte vendosur heqja e tyre.

“Ne nuk lejojmë simbole që përfaqësojnë organizata që mbështesin urrejtjen apo ideologji të urrejtjes, përveçse në ato raste kur ato janë paraqitur me një kontekst apo dënohen për aktet e tyre”, tha të enjten kreu i Politikës për Sigurinë i Facebook-ut, Nathaniel Gleicher, përpara Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Kjo është ajo që pamë në këtë rast me këtë reklamë dhe kudo që do të përdoret ky simbol, do të ndërmarrim të njëjtat veprime”, shtoi ai. Lëvizja e facebookut vjen në mesin e një debati të nxehtë mes platformave sociale dhe liderëve politikë për përmbajtjet që duhen lejuar dhe ndaluar. Në një postim të fushatës elektorale të Trump, shihej një simbol trekëndor i kuq, i përmbysur, që është përdorur gjerësisht si referencë ndaj grupit majtist Antifa.

Sipas historianëve, trekëndëshi i kuq i përmbysur u vu për herë të parë në përdorim nga nazistët në vitet 1930 për të identifikuar komunistët. Ai u përdor gjithashtu për të treguar social-demokratët, liberalët dhe anëtarët e tjerë të partive opozitare.

Një trekëndësh i kuq i përmbysur mbi një trekëndësh të verdhë ishte një simbol që të burgosurit politikë hebrenj u detyruan të vendosnin prej nazistëve.

Top Channel