Ritëm i lartë dhe spektakël, por nuk ka fitues në Tottenham-Manchester United

19/06/2020 23:37

Miqtë nga Manchester morën kontrollin e topit që në minutat e para dhe iu afruan disa herë kërcënueshëm kuadratit të mbrojtur nga Hugo Lloris, por francezi ishte në lartësinë e detyrës me ndërhyrjet e tij.

Nga ana tjetër Tottenham mundohej të zbriste rrezikshëm në kundërsulm dhe pikërisht në një rast të tillë, Bergwijn dribloi lehtësisht mbrojtësin anglez Harry Maguire dhe u fut në zonë, ku gjuajti dhe mposhti De Gean, duke e dërguar sferën në rrjetë.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të “Spurs”, ndërsa Manchester United nuk mund të pajtohej me këtë rezultat dhe trajneri Solskjaer freskoi skuadrën me emra si Pogba, Greenwood e Ighalo, për të provuar barazimin.

Pas një presioni të vazhdueshëm dhe disa pritjeve radhazi të Hugo Lloris, Paul Pogba fitoi një 11-metërsh në minutën e 82-të, të cilin e ekzekutoi saktë portugezi Bruno Fernandez dhe arriti të rikthejë baraspeshën.

Tottenham provoi të gjejë golin e fitores me disa gjuajtje nga distanca, por pa kërcënuar rrezikshëm portën e De Geas, ndërsa arbitri akordoi një tjetër penallti në shtesë për United, por e anuloi pasi rishikoi aksionin në VAR.

Vërshëllima finale la në fuqi barazimin 1-1, që nuk i shërben asnjërës prej skuadrave, por mund të rezultojë vendimtar për objektivin e Tottenham, pasi një fitore e mundshme e Chelseat do ta çonte plot 9 pikë distancën nga vendi i katërt.

Top Channel