Barcelona e post-COVID shënon, fiton dhe nuk pëson. Në të dytën sfidë radhazi, katalanasit fituan me rezultat të pastër, këtë herë ndaj Leganesit të vendit të fundit, duke mos hasur probleme e duke marrë 3 pikë shumë të rëndësishme për garën e titullit. Ansu Fati dhe Messi që ishin dy protagonistët e 90 minutave me golat e tyre.

Ndeshja në “Camp Nou” nisi me një homazh për personat që humbën jetën gjatë pandemisë në Spanjë, ndërkohë kur fjalën e mori futbolli katalanasit i ndezën paksa ngadalë motorët, duke luajtur një ndeshje me një ritëm relativisht të ulët, në varësi dhe të kundërshtarit. Barça vuajti paksa në gjetjen e golit, i cili erdhi vetëm në fundin e pjesës së parë falë të talentuarit Fati.

Në pjesën e dytë Barça, luajti më shpejt dhe u përpoq të mbyllte ndeshjen ndaj ekipit të vendit të fundit në renditje, me Griezmann që gjeti golin, por ia anuloi VAR-I në të 65-tën. Gjithsesi, vetëm pak çaste më pas, Messi fitoi një 11-metërsh, që e shndërroi vetë në gol, duke dyfishuar rezultatin me golin e 22-të në këtë kampionat.

Në fund kjo 2-0 ishte më se e mjaftueshme për të konfirmuar kreun e renditjes edhe pas kësaj jave e për më tepër duke çuar presionin te Realis, që me datë 18 qershor do të sfidojë në shtëpi Valencian.

Top Channel