Topi i fundit i Artë i Real Madridit dëshiron ta përfundojë karrierën e tij profesionale i veshur me të bardha. Luka Modric u rrëfye në një intervistë në “Gazzetta dello Sport”, ku siguroi: “Jam i sigurt që mund të luaj në një nivel të lartë edhe për dy vjet. Do të dëshiroja ta përfundoja karrierën time te Real Madridi, por kjo do të varet edhe nga klubi.

Championsi i pestë?: UEFA do të njoftojë zyrtarisht të mërkurën për vendin dhe formatin e Champions League. Mesfushori kroat, i cili e ka fituar katër herë me Realin këtë trofe, e sheh garën të hapur dhe të fortë: “Unë e shoh rival të fortë PSG-në, edhe nëse nuk luan deri në gusht. Është e lehtë të thuhet që janë edhe Barcelona e Bayerni. Duhet patur kujdes me Atlético Madridin dhe sigurisht, në mesin e favoritëve do të jetë ai që kalon në duelin mes Manchester City-t dhe Real Madridit.

Vlerësimi për Ronaldon: Në librin e tij autobiografik, Luka kritikoi Cristianon që nuk mori pjesë në mbrëjen gala të Topit të Artë. Sidoqoftë, tani ai ka vetëm fjalë të mira për portugezin: “Është një nga më të mëdhenjtë në histori. Cristiano gjithmonë dëshiron të fitojë, ai na motivoi dhe na bëri të reagonim. Ka një zemër të madhe, është gjithmonë i gatshëm t’i ndihmojë ata që kanë nevojë.

Këshilla për Mbappenë: “Ai ka të gjitha, por mendoj se për të bërë hapin e madh në cilësi duhet të shkojë në një kampionat, ku skuadra e tij nuk fiton aq lehtë. Gjithashtu shoh shumë potencial te Vinicius dhe më pëlqejnë De Bruyne dhe Sterling.”

Nofka që ka marrë te Reali: Mesfushori kroat është një fitues i lindur, nuk i pëlqen të humbasë edhe në stërvitje. Për këtë atij i kanë vënë një nofkë në dhomat e zhveshjes së Realit: “Ndihem një person normal, i cili e do përuljen dhe modestinë. Jam këmbëngulës e kokëfortë. Shokët e skuadrës te Real Madridi më quajnë “uthull”, sepse kur humbas në stërvitje e marr keq.”

Top Channel