Edhe pas ndërprerjes tre mujore për shkak të Covid-19, Sergio Ramos nuk e harroi zakonin e tij, atë të gjetjes së rrugës së rrjetës. I shërbyer nga Eden Hazard, kapiteni i Realit të Madridit realizoi golin e dytë të Los Blancos në fitoren 3-1 ndaj Eibar.

Një gol i thjeshtë por i rëndësishëm për Ramos që u ngjit në kuotën e 67 finalizimeve në La Liga duke barazuar rekordin e holandezit Ronald Koeman përsa u përket mbrojtësve që kanë shënuar më shumë në historinë e kampionatit spanjoll.

Tashmë që Ramos është ngjitur në vendin e dytë, pikësynimi i tij është Fernando Hierro, por ish-kapiteni i Realit i cili kishte specialitet goditjet standarte duket i paarritshëm pasi në karrierë në La Liga ka arritur të realizojë 105 gola, shifër shumë e lartë për t’u arritur nga Sergio Ramos që është 34-vjeç dhe është në vitet e fundit të karrierës.

Top Channel