Ndërsa Kosova shënon 21 vjetorin e çlirimit të saj, u hap për vizitorët ish burgu i Prishtinës.

Në këtë burg, sipas zyrtarëve kosovarë, kanë kaluar, 20 mijë burra e gra që luftonin për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe ky burg, për kryeministrin Avdullah Hoti, është burgu i ideve, i njerëzve që firmosën të parët idenë e shtetit të pavarur të Kosovës.

“Ky është vendi, burgu i ideve, i njerëzve që kanë firmosë më së pari idenë për shtetin e pavarur të Kosovës, që ka evolua mandej në demonstrata e 68-tës, ‘81, ’89 e pastaj luftën e armatosur, përpjekje për liri e pavarësi, edhe për lirinë e që e gëzojmë sot”.

Për ministren e kulturës, Vlora Dumoshi, shumë veprimtarë kosovarë kanë qëndruar në këtë burg dhe ata mbeten bazamenti i rezistencës për lirinë e popullit të Kosovës.

“Duke falënderuar deputetët e Kosovës eh qeverinë që nxori propozimin për burgun e Prishtinës që të shndërrohet në muze”.

Ndërsa vetë ish të burgosurit, kujtojnë torturat dhe vështirësitë që kanë kaluar në këtë burg. Selatin Novosella, vendimin për shndërrimin e tij në muze, e sheh si një shpërblim simbolik për ish të burgosurit politikë.

“Ky burg duhet të shndërrohet në gjendjen ashtu siç ka qenë më herët. Në mesin e tyre kam qenë edhe unë për herë të parë në vitin 1964”.

Që prej vitit 1945, në burgun e Prishtinës ka patur të burgosur politikë, në një pjesë të madhe, intelektualë shqiptarë. Në këtë burg, pas vitit 1962, kanë qëndruar edhe aktivistë si Adem Demaci, Osman Dumoshi, Hydajet Hyseni, Ali Lajci etj.

Top Channel