Protestë para Ministrisë së Bujqësisë për sigurinë ushqimore, të pranishëm vetëm gjashtë persona…

08/06/2020 18:25

Mëngjesin e sotëm (08.06.2020) në kuadër të ditës botërore të sigurisë ushqimore, është mbajtur një manifestim paqësor përpara Ministrisë së Bujqësisë.

Protesta u thirr nga eksperti i ushqimit Granit Sokolaj, por ajo që ra në sy ishte fakti që të pranishmit ishin të pakët në numër, vetëm gjashtë persona! Në “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, Sokolaj tha se kjo çështje duhet të jetë kombëtare sepse siguria ushqimore na përfshinë të gjithëve.

“Fëmijët tanë, ne, prindërit tanë, ushqehen tre herë në ditë dhe siguria ushqimore duhet të jetë parësore”, tha Graniti. Ndër të tjera ai tha se siguria ushqimore duhet të jetë zinxhir, pra një produkt ushqimor duhet të kalojë disa faza kontrolli, nga prodhimi në fusha e deri në tregtim. Gjithashtu shtoi se siguria ushqimore është një ndër pikat që duhet plotësuar, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Por në këtë fazë që ndodhet vendi ynë për sa i përket sigurisë ushqimore, sipas Granit Sokolaj, anëtarësimi në BE do të jetë i vështirë.

“Kjo protestë është çështje kombëtare. Si konsumator çdokush duhet ta ngre zërin për të konsumuar produkte të shëndetshme. Fëmijët tanë, ne, prindërit tanë, ushqehen tre herë në ditë dhe siguria ushqimore duhet të jetë parësore. Unë iu drejtova me disa pika Ministrisë së Bujqësisë. Ministria e Bujqësisë duhet të merret me sigurinë shëndetësore. Kur bëhet fjalë për sigurinë shëndetësore duhet ta bëjmë të gjithë. Një ushqim i sigurt është nga ferma në tavolinë me të gjithë zinxhirët e vet. Tek ne kjo çalon. Vërtetë nuk ka si mishi i Shqipërisë nëse e merr në male, por në raport me sigurinë nuk është i sigurt. Mund të jetë i mirë një mish që vjen nga kjo zonë por nuk është i sigurt. Duhet të bëjmë dallimin mes cilësisë dhe sigurisë. Nëse ju merrni qumësht tek fshatarët e rrugës ne themi se po e marrim të mirë. Ai mund të jetë cilësor nga shija, por nuk është i sigurt si qumështi i industrisë. Ministria e Bujqësisë duhet të bëjë një fushatë të madhe për këtë punë. AKU është politikë zbatues, politikat i bën Ministria e Bujqësisë. Pika e 12 e kërkesave të Bashkimit Evropian flet për sigurinë ushqimore. Dhe raporti i Komisionit Evropian i 2018 flet për problematika të mëdha në çështjen e sigurisë ushqimore. Ne jemi i vetmi vend që nuk eksportojmë kafshë të gjalla jashtë. Kjo ndodh nga siguria ushqimore. Produkte me origjinë shtazore nuk eksportojmë sepse nuk kemi cilësinë e duhur. Kjo është një nga kërkesat e Bashkimit Evropian. Çalon problemi i instruktorit të AKU-së. AKU nuk ka një plan të marrë mostrat. Nuk shkon në tregje dhe të publikojë mostrat”, u shpreh Granit Sokolaj.

Top Channel