Kosova me qeveri të re/ Kabineti i Hotit merr 61 vota, VV proteston para Kuvendit

03/06/2020 20:47
????????????????????????????????????

Me 61 vota pro, minimale për krijimin e Qeverisë, Avdullah Hoti arriti të bëhet kryeministër i Kosovës.

Nga 86 deputetë të pranishëm në sallë, kundër koalicionit LDK-AAK-Nisma e Lista Serbe dolën 24 deputetët e PDK-së dhe abstenoi deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, ndërsa LVV-ja bojkotoi seancën.

Qeveria Hoti do të ketë 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministri.

Por, kjo Qeveri arriti të formohet falë votës së deputetit të Nismës, Haxhi Shala, i cili ndryshoi qëndrim pasi mbrëmjen e së martës priti në vizitë Presidentin dhe kreun e AAK-së.

Qeveria e formuar u quajt ilegale nga shefi i grupit parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi, që në seancë erdhi vetëm për fjalim. Derisa seanca zhvillohej, një grup qytetarësh protestuan para Kuvendit, duke tentuar që të futeshin brenda.

Formimin e institucioneve të reja e mirëpritën SHBA-të me të dërguarin e posaçëm Richard Grenell. Në reagimin e tyre thuhet se “mezi presim fillimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës për rifillimin e dialogut me Serbinë”.

Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon tha se presioni mbi disa deputetë për formimin e Qeverisë është i papranueshëm, teksa ka uruar kryeministrin e sapozgjedhur.

Top Channel