“Ishte ëndërr në sirtar” Rama: Të gjitha qeveritë e tjera dështuan, vitin tjetër nis ndërtimi i HEC-it të Skavicës

03/06/2020 12:04

TIRANE-“Vitin tjetër do të nisë ndërtimi i HEC-it të Skavicës”kështu është shprehur kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të projektit të këtij HEC-i. Sipas Ramës HEC-in nuk do të ndërtojë privati, por 100% shteti. Kryeministri Edi Rama u shpreh në prezantimin e projektit se kjo është një ëndërr e mbetur në sirtar që prej viteve ’60.

Rama tha se të gjitha qeveritë e mëparshme dështuan duke e përdorur Skavicën vetëm si pjesë të premtimeve dhe të fushatave elektorale.

Po ashty kryeministri citoi një inxhinier shqiptar që dikur i tha se ”Kaskada e Drinit pa Skavicën është si delet pa bariun’. Skavica sipas kryeministrit do jetë zgjidhje përfundimtare për përmbytjet që ndodhnin pas shkarkesave prej mbingarkesave prej shiut.

“Pas më shumë se gjysmë shekulli si ëndërr në sirtarin e qeverive shqiptare, projekti i Hidrocentralit të Skavicës, hyn në rrugën e realizimit. Qeveria jonë do ta ndërtojë me financim 100% shtetëror këtë vepër strategjike për pavarësinë energjitike dhe kthimin e Shqipërisë në një faktor kyç të sektorit energjitik të rajonit. Hidrocentrali i Skavicës kompleton Kaskadën e Lumit Drin, krijon mundësinë e ruajtjes së rezervës ujore, duke u dhënë përfundimisht fund humbjeve kolosale të energjisë, me pasojë përmbytjet kronike (kur pikërisht nga mungesa e Skavicës kryhen shkarkimet e detyruara prej mbingarkesës ujore) dhe duke e kthyer eksportin apo importin e energjisë, nga një aktivitet me detyrim përcaktim ku shitblerjen e energjisë e përcakton moti, në një aktivitet ku shitblerja diktohet vetëm nga interesi i shtetit. Me nisjen sot zyrtarisht të procedurave, Kantieri i Madh i Skavicës hapet vitin e ardhshëm” ka thënë Rama ndër të tjera.

Benet Beci, drejtori i KESH.

“Është parashikuar në vazhdën e kaskadës së Drinit. Ka një prodhim që mbulon 65% të nevojave të vendit. Kapaciteti i instaluar i këtyre hidrocentraleve është 1350 megavat. Kaskada është konceptuar që në vitet ’60 me 5 hidrocetrale. 4 janë ndërtuar. Por Skavica kurrë nuk u bë. Ka qenë iniciativë e qeverisë që ka marrë përsipër të bëjë këtë studim. Kemi angazhuar pjesën më të mirë të stafit dhe një pjesë të mirë të ekspertëve. Qëllimi i prezantimit është për rëndësinë dhe ndikimin në ekonomi. Problematika kryesore është se Shqipëria konsumon energji elektrike më shumë sesa prodhon. Afërsisht paguajmë 100 milion dollar për importin e energjisë elektrike. Këtu është edhe rëndësia e këtij investimi. Reduktimi i importit dhe rritja e eficencës të gjithë kaskadës dhe hidrocentralet e tjera. Pika kryesore do të jetë në një nga kanionet e Skavicës. Diga do të jetë me hark betoni. Diga do të ketë porta shkarkimi në trupin e digës. Hidrocentrali do të jetë 3km poshtë digës. Në krahun e djathtë do të bëhet kanali i devijimit.” tha Drejtori i projekti.

Top Channel