Aurelia është nëna e dashur dhe e përkushtuar e një vajze trevjeçare, si dhe gazetare e suksesshme në televizion. Jeta e saj kthehet përmbys, kur i duhet të intervistojë ish-të dashurin, Alexander Laszlon, dikur një figurë shumë e njohur, me lidhje të forta në botën e politikës i cili ka marrë pjesë në vitet ‘80 në një projekt ndihme në Etiopi, ku kishte pllakosur uria.

Dhjetë vjet më parë, marrëdhënia pasionante midis Aurelias, atëherë studente e re, pjesëmarrëse në projekt dhe e Aleksandrit të mrekullueshëm u ndërpre papritur, kur Laszlo u dënua për abuzim seksual të njërit prej fëmijëve të tij etiopianë të birësuar. Djali, së bashku me një duzinë fëmijësh etiopianë, ishte sjellë në Amsterdam për t’u arsimuar dhe edukuar, pjesë e iniciativës së Laszlos për formimin e Liderëve të Ardhshëm, që do të ktheheshin në shtëpitë e tyre të armatosur me dije për të ndryshuar shoqërinë.

Reagimi i shoqërisë qe i ashpër: shtypi e sulmoi, publiku u shpreh pa njohur faktet dhe shumë shpejt Aleksandri, nga figurë e respektuar, përfundoi në një figurë të urryer publike që, pas burgut u zhduk nga jeta publike. Propozimi i Aleksandrit për Aurealian, pas dhjetë vjetësh, është i qartë: të shkruajë një libër për jetën, motivet dhe sidomos, për idetë e tij rreth pedofilisë. Duket sikur personazhi kryesor, duke mbrojtur lirinë e shprehjes e të mendimit del në mbrojtje të pedofilisë.

Por, në fakt, shkrimtari është përpjekur ta shohë nga një pikëpamje tjetër dhe të vërë në dukje reagimin indiferent apo violent aktual në botën e sotme, ndaj kësaj dukurie.

Një udhëtim prej më shumë se 500 faqesh, përmes shtatë kontinenteve e disa dekadash, që na bën të mendojmë për çështje si seksizmi, barazia gjinore, feminizmi, raca etj., për botën, jetën dhe vdekjen, në një mënyrë madhështore.
Të gjitha këto përmes penës së Jamal Ouariachit, si një shkrimtar i ri dhe shumë i talentuar, një yll në rritje jo vetëm i letërsisë së Vendeve të Ulëta.

Dy fjalë për autorin

Jamal Ouariachi, lindur më 1978, është bir i një nëne nga Vendet e Ulëta dhe i një babai maroken. Ouariachi studioi psikologji në Universitetin e Amsterdamit dhe punoi disa vjet si terapist online. Debutimin e tij letrar e bëri më 2010 me romanin “De vernietiging van Prosper Morèl” (Shkatërrimi i Prosper Morèlit). Qysh atëherë ai nuk ka reshtur së shkruari tregime, artikuj dhe editoriale polemike për një varg revistash të rëndësishme, duke përfshirë nrc.next, HP/ De Tijd, de Volkskrant, Knack Focusand Vogue. Romani i tij i dytë “Vertedering” (Zbutja) u nominua për BNG Literatuurprijs dhe Gouden Uil. Ky roman u ndoq nga romani “25”, pjesë e një trilogjie letrare shkruar së bashku me Daan Heerma van Voss dhe David Pefko. Autori është fitues i Çmimit Europian për Letërsinë, 2017.

Komentet

“Ky është një roman i madh. Një histori prekëse në lidhje me zhvillimin e botës së tretë, dashurinë e fortë dhe abuzimin. Një roman mbresëlënës bashkëkohor, që nuk trembet të përmendë tabutë shoqërore dhe dhimbjet e ankthit personal.”

De Groene Amsterdammer

“Uria është vepër e një prozatori të shkëlqyer. Nuk duhet ta lini pa e lexuar.”

De Standaard

“Nëse doni që letërsia të jetë e guximshme, mos kërkoni më.”

CuttingEdge

“Emocionues, super inteligjent dhe i qartë si një pasion.”

HUMO

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA