Presidenti Trump tha se veprimet e Kinës ndaj Hong Kongut janë “shkelje të qarta të detyrimeve të traktatit” në konferencën për shtyp të së premtes ku kritikoi me forcë Pekinin për një mori çështjesh, përfshirë praktikat e tij tregtare, trajtimin e pandemisë së koronavirusit dhe marrëdhëniet me Organizatën Botërore të Shëndetit.
Trump tha se Hong Kong nuk është më aq autonom sa të meritojë trajtim special nga Shtetet e Bashkuara dhe tha se administrata e tij do të fillojë një proces për të eleminuar përjashtimet e politikave që i japin qytetit trajtim preferencial. Gjatë komenteve të premten në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se Departamenti i Shtetit do të rishikojë këshillat e tij për udhëtimet në Hong Kong për të pasqyruar “rrezikun e rritur nga mbikëqyrja”.
Këtë javë, Kongresi Popullor i Kinës miratoi vendosjen e një ligji të sigurisë kombëtare në Hong Kong, përkundër angazhimeve të mëparshme nga Pekini për të mirëmbajtur “dy sisteme” – një për Kinën dhe një për Hong Kongun. Për çështjen e pandemisë vdekjeprurëse të koronavirusit, Trump i quajti veprimet e Kinës “ttë qëllimshme”, duke thënë se zyrtarët kinezë injoruan detyrimet e tyre për të raportuar për virusin tek Organizata Botërore e Shëndetit dhe i bënë presion organizatës për të mashtruar botën.
Trump gjithashtu tha se ai do të pezullojë hyrjen në SHBA të disa shtetasve kinezë të cilët konsiderohen të rrezikshëm për sigurinë, ndërsa kritikoi Kinën për politikat e saj tregtare. “Për dekada të tëra ata kanë shkatërruar Shtetet e Bashkuara,” tha presidenti, duke përmendur se ai po udhëzon një grup pune të studiojë praktika të ndryshme të kompanive kineze që janë të renditura në indekset e aksioneve amerikane.
“Presidenti Trump ka deklaruar sot pa mëdyshje se Kina është një armik i Shteteve të Bashkuara – një armik që ai planifikon ta kundërshtojë jo vetëm duke përdorur fjalë të fuqishme, por edhe veprime të qarta”, tha Harry Kazianis, drejtor në Qendrën për interesin kombëtar . “Një shfaqje e rrezikshme e superfuqisë është duke u shpalosur, çka mund të vendosë drejtimin e politikës së jashtme amerikane për dekadën e ardhshme ose më tej,” shtoi ai.
Të premten paradite, Shtetet e Bashkuara dhe Britania ngritën çështjen e Hong Kongut në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke vërejtur se çështja garanton shqetësim urgjent ndërkombëtar. “Shtetet e Bashkuara janë të vendosura, dhe u bëjnë thirrje të gjitha shteteve anëtare të OKB-së të bashkohen me ne duke kërkuar që Republika Popullore e Kinës menjëherë të ndryshojë kursin dhe të respektojë angazhimet e saj ligjore ndërkombëtare ndaj këtij institucioni dhe për njerëzit e Hong Kongut,” tha ambasadorja amerikane në OKB Kelly Craft në një deklaratë pas një seance jozyrtare me dyer të mbyllura.
Sh.B.A dhe Britania kishin kërkuar një takim publik për këtë çështje, por Kina bllokoi masën, kështu që në vend të kësaj, Hong Kongu u ngrit në një seancë private virtuale, pasi këshilli ka pezulluar takimet fizike për shkak të COVID-19. Misioni i Kinës në OKB-së u përpoq të minimizojë takimin në një seri postimesh në Tweeter, duke thënë se çështja e Hong Kong-ut është “e njohur gjerësisht”, se nuk ka asnjë lidhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit, dhe se “do të vazhdojë të kundërshtojë çdo formë të ndërhyrjes në punët e brendshme të Kinës”./VOA
Top Channel